Prej disa ditësh Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, ka kërkuar që të bëhet një mbledhje për të diskutuar rihapjen e basteve sportive në vendin tonë.
Mësohet se gjatë kësaj të marte është pritur edhe një takim mes palëve të interesuara dhe kryeministrit Edi Rama.
Këto takime mësohet se po organizohen me kryeministrin Edi Rama dhe ministrat përgjegjës në kuadër të linjës që kanë lidhje me hapjen e biznesit të basteve sportive.
Pas këtyre zhvillimeve i menjëhershëm ka qenë edhe një reagim nga radhët e opozitës. Ka qenë deputetja Jorida Tabaku e cila me anë të një statusi në rrjetet sociale ka ironizuar Ramën.
“Njeriu që citonte Kuranin për të këqiat e basteve ka lajmëruar diskutimin për rihapjen e tyre. Jam kurioze te di si do ia justifikoje të tijve ndryshimin e mendjes?! Po shqiptarëve që në tetor 2018 u tha se gjithë pronarët e basteve qenë kriminelë?! Cka ndryshuar nga dje?! ?” shkruan Tabaku.
Kujtojmë se bastet dhe lojërat e fatit në vendin tonë janë zyrtarisht të ndaluara që prej 1 Janarit të vitit 2019./albeu.com/