“Cjapi im ndërzeu dhitë e Fatimes, ajo nuk më dha lekët”, dënohet me 20 vite burg Fetah Marra, vrau komshien dhe e hodhi në kanal
Gjykata e Shkallës së Parë në Berat ka dënuar me 20 vite burg Fetah Marrën, i cili në 20 janar të viti të kaluar, vrau dhe më pas hodhi në kanal fqinjen e tij 63 vjeçare Fatime Suli.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 20 janar të vitit 2022 në fshatin Kozare të Kuçovës, ku pas një sherri mes tyre, Fetah Marra vrau fqinjen e tij.
Shkak për sherrin janë bërë 6 mijë lek të cilat viktima i detyrohej Marrës. Fatime Suli nuk i kishte shlyer paratë që i detyrohej Fetah Marrës, për shërbimet që cjapi i tij i kishte bërë dhive të saj, duke i ndërzyer.
Në vendimmarrjen e tij, trupi gjykues i qëndroi masës së dënimit të kërkuar nga prokurori Elidon Hysenaj.
Po kështu, trupi gjykues ka dhënë dënimin me 1-vit burg edhe për shtetasin Izet Marra, i akuzuar për moskallëzim krimi. Avokati i familjes së viktimës, Ramiz Oboni, ka deklaruar se ata janë të pakënaqur me vendimin dhe se do ta apelojnë atë.
Sipas avokatit Oboni, Marra nuk duhet të dënohej vetëm për vrasje pasi ai fillimisht ka abuzuar me viktimën dhe më pas e ka vrarë atë dhe e ka hedhur në kanal. /AlbEu.com/