“City Magazine”: Shqipëria destinacioni i përballueshëm për pushime “të çmendura” në 2024

Jeni në kërkim të destinacioneve të përballueshme për pushime “të çmendura” në 2024?

Ne kemi përgatitur një listë të vendeve që janë ‘miqësore me portofolin’, por në të njëjtën kohë premtojnë përvoja të paharrueshme, shkruan Nika Arsovski në një artikull të botuar në revistën sllovene “City Magazine”.

Nga qytetet historike në parajsat tropikale, çdo destinacion ofron një ndërthurje unike të kulturës, bukurisë natyrore dhe aventurës.

Paketoni valixhet dhe bëhuni gati për të eksploruar!

Shqipëria

Shqipëria është një vend me reliev të thyer, plazhe të pacenuara dhe histori të lashtë që presin për t’u eksploruar.

Zbuloni qytetin e Beratit të përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i njohur ndryshe si “Qyteti i një mijë dritareve”, me arkitekturën e stilit otoman të ruajtur mirë dhe kështjellën mahnitëse në majë të kodrës.

Shëtisni rrugët e ngushta me kalldrëm ose eksploroni xhamitë dhe kishat e qytetit.

Për adhuruesit e plazhit Shqipëria ofron gjithçka sipas dëshirës së tyre.

Në Shqipëri mund të gjeni shumë plazhe me rërë përgjatë vijës së saj të pacenuar bregdetare, duke përfshirë plazhet piktoreske të Sarandës, Himarës dhe Dhërmiut.

Shqipëria është renditur mes 10 destinacioneve të përballueshme për pushime të paharrueshme në vitin 2024!

1-Shqipëri
2-Budapest, Hungari
3-Meksiko Siti, Meksikë
4-Mirisa, Sri Lanka
5-Goa, Indi
6-Ohër, Maqedonia e Veriut
7-Gambia
8-Tallin, Estoni
9-Kajro, Egjipt
10-Republika Dominikane

/Agjencia Telegrafike Shqiptare/


Shtuar 17.03.2024 10:35