Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e ka përkrahur idenë e paraqitur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për Kosovën e Serbinë.
Sipas tij në këtë konferencë do të kishin marrë pjesë liderët e dy vendeve, liderët e atyre shteteve të BE-së që merren aktivisht me zbutjen e tensioneve si dhe SHBA-të.
“Mendoj se ka ardhur koha që të kemi një qasje globale, pastaj të kemi hapa të qartë në drejtim të normalizimit”, ka porositur Charles Michel.
Ai foli para nisjes së samitit të Bashkimit Evropian, ku gjatë darkës së punës do të trajtohet edhe Ballkani Perëndimor me theks tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në fund të samitit, që do mbahet sot dhe nesër, 27 liderët e BE-së do të miratojnë konkluza me anë të së cilave do të dënohen incidentet në veri dhe do të kërkohen hapat drejt de-përshkallëzimit.
“Këshilli Evropian i dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian, më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të ketë pasoja negative”, thuhet në draftin e konkluzave që pritet të miratohen në fund të këtij samiti./REL/