Çfarë po ndodh në Vlorë? Policia aksion “blic” në zonën e Skelës, kontroll mjeteve luksoze

Forcat e rendit kanë zhvilluar një aksion “blic” mbrëmjen e sotme në zonën e Skelës në Vlorë. Bëhet me dije se ky aksion i befasishëm është bërë me qëllim rritjen e sigurisë publike pas ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një 17-vjeçar, i përplasur nga një automjet tip “Porsche”.

Siç raportohet, Policia ka ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të zonës, ku ka ndaluar automjetet luksoze dhe ato me xhama të zinj. Konkretisht, kontrollet janë fokusuar tek personat me precedentë penalë dhe ata në kërkim, si dhe tek qytetarët që mund të mbajnë armë të ftohta apo armë zjarri pa leje.

Po ashtu aksioni pritet të vijojë edhe në zonat e tjera të qytetit, si pjesë e një operacioni të gjerë për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe forcimin e rendit publik në Vlorë. Siç shihet edhe në pamje, policia ka ndaluar disa makina luksoze dhe me xhama të zinj.


Shtuar 30.10.2025 22:15