Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka lëshuar sot një komunikatë për media, përmes së cilës ka treguar se Kurti dhe Osmani janë pajtuar që Ligjin Për Zgjedhjet ta trajtojnë në një periudhë të mëvonshme në bashkëpunim me opozitën.
Burimet për mediat bëjnë me dije se Lëvizja Vetëendosje nuk e ka tërhequr këtë ligj nga Kuvendi, dhe nuk dihet nëse kjo do t’i mjaftojë Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ka kushtëzuar pjesëmarrjen në seancën për presidentin.
Shefi i deputetëve të LDK’së, Arben Gashi, ka thënë se nuk funksionojnë me komunikata, dhe s’ka pranaur të flasë rreth seancës për presidentin meqë thotë se tërheqja e VV’së nga iniciativa për Ligjin duhet bëhet akt.
Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, dje në një konferencë për media dhe në fjalimin e tij në Kuvend i ka bërë thirrje kreut të Qeverisë që ta tërheq ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.
Konjufca ka takuar sot Kurtin e Osmanin pas gjithë tensioneve të djeshme të shkaktuara nga iniciativa e Vetëvendosjes për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje. Në njoftimin për media, Konjufca ka treguar se s’mbetet gjë tjetër veçse të ketë garanci që shumica nuk do të bëjë asnjë veprim lidhur me Ligjin pa opozitën dhe që këta të fundit të mos bojkotojnë procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Për ta krijuar një atmosferë të domosdoshme mirëbesimi para se të hyjmë në këtë proces, ata më premtuan dhe garantuan që gjithçka ka të bëjë me ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës dhe se bashkë do ta bëjmë dhe përmbyllim reformën zgjedhore. Kështu që, pas vullnetit të qartë që e shprehu mbrëmë opozita me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës, nuk mbetet tjetër veçse të sigurohemi që mazhoranca e Kuvendit të garantojë që mos bëjë asnjë veprim pa u konsultuar me opozitën në këtë aspekt, kurse opozita që nuk do ta bojkotojë procesin e zgjedhjes së Presidentin, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të përsëritura”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Zyra e Presidentit.
Siç eshte raportuar sot tërheqja nga iniciativa për Ligjin e Zgjedhejve vjen pas presionit ndërkombëtar dhe kërkesës së prerë të LDK’së. /Express/