Çfarë po ndodh me internetin në Shqipëri një natë para zgjedhjeve?

Vetëm pak orë para zgjedhjeve parlamentare, një situatë e pazakontë ka përfshirë internetin në Shqipëri. Shumë vizitorë ankohen se nuk arrijnë dot të hapin portale të ndryshme edhe pse kanë akses në internet. Mes portaleve që nuk aksesohen herë pas here është edhe portali Albeu.com.

Pas raportimeve të përsëritura nga vizitorët, stafi teknik i portalit Albeu ka bërë kontrollet e nevojshme në server ku gjithçka duket në rregull. Edhe pas testeve me platforma të ndryshme që kontrollojnë gjendjen e serverit dhe të lidhjeve të internetit deri tek serveri, gjithçka ka rezultuar të jetë në rregull, por megjithatë faqja përsëri nuk hapet.

Ky problem, raportohet të ketë prekur shumicën e portaleve në vend të cilat kanë hasur në shkëputje të herëpashershme, gjë që sipas ekspertëve lidhet me internetin që shpërndahet brenda territorit shqiptar dhe jo me serverat e vetë portaleve. Ndërprerjet janë konstatuar me rradhë në disa qytete si Elbasan, Tiranë, Korcë, etj.

Megjithatë, edhe pse mund të jetë një problem i zakonshëm teknik, probleme të përgjithshme të internetit që pengojnë aksesin në faqet informative vetëm një natë para zgjedhjeve, nuk lënë aspak shije të mirë ndërsa ngrenë shumë pikëpyetje. /albeu.com/


Shtuar 24.04.2021 21:47