Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u shpreh se nëse një deputet i partisë së tij voton për ndryshimet kushtetuese, ai do të japë dorëheqjen.
“Për këtë VMRO-DPMNE është këtu, duke iu kundërvënë dhe do të vazhdojë të kundërshtojë këtë proces, ku qëllimi i vetëm është asimilimi i popullit maqedonas, bullgarizimi i tij, nuk është evropianizim. Prandaj tani është mbrojtja e parë, e ajo është pandryshueshmëria e Kushtetutës, edhe pse nga pushteti do të vazhdojnë me presionet dhe deklaratat se ka deputetë nga udhëheqësia, e kështu me radhë! Nuk ka të tillë! Ja këtu dua ta mbyll këtë temë me çmimin e karrierës time profesionale dhe politike që njerëz të tillë nuk ka. Unë garantoj!”, u shpreh Mickoski.
“Po do të largohem, do ta lë politikën dhe asnjëherë më nuk do të merrem me politikë nëse përderisa unë jam kryetar, me kushte të këtilla, ndryshohet Kushtetuta”, shtoi ai.
Mickoski shtoi se nga nesër do të vazhdojnë konsultimet me partnerët e koalicionit rreth referendumit për propozimin francez, që më pas, sipas tij, të dilet me një qëndrim përfundimtar mbi këtë çështje.
“Se cili do të jetë propozimi i VMRO-DPMNE-së, nëse do të shkojmë me 150 mijë nënshkrime, apo do të shkojmë me deputetët, duke pasur parasysh se në vazhdimësi mbillet presioni, edhe nga ato instalimet e qeverisë në opozitë, se ka deputetë të atillë e këtillë, se dikush është në dyzim, e nga ana tjetër nuk duam që ti ekspozojmë qytetarët aq shumë para kësaj qeveria hibride, ose regjim, andaj mund të vendosim të shkojmë me 44 deputetë të GP të VMRO-DPMNE-së që ta dorëzojmë referendumin, do të shohim…”, tha Hristijan Mickoski.
Nga ana tjetër reagime kanë ardhur edhe nga LSDM-ja mbi deklaratat e Mickoskit.
Ata shprehen se ai mund të japë dorëheqjen menjëherë, pasi sipas tyre është anti-europian.
“Hristijan Mickoski të mos presë, mund të ngrihet të japë dorëheqje dhe ta lërë politikën, kanë dështuar të gjitha përpjekjet e tij për ta bllokuar dhe destabilizuar shtetin. Mickoski, i cili është vetëshpallur si politikan anti-BE-së, konfirmoi edhe një herë se referendumi që e paralajmëroi dhe për të cilin nuk e di as formatin dhe as pyetjen, është vetëm për përdorim brendapartiak dhe personal. Kërkesat e Mickoskit për referendum kundër gjuhës maqedonase, pasuan pasi iu fundosën të gjitha përpjekjet për ta bllokuar vendin, të ardhmen evropiane, me skenarët e përgjakshëm për destabilizim dhe shkaktimin e konfliktit etnik”, u shprehën nga LSDM./albeu.com/