Buxheti 2023 përplas qeverinë me Presidencën! Bajram Begaj kërkon 490 milionë lekë shtesë për rikonstruksionin e godinës dhe pagat

Institucioni i Presidencës ka kërkuar rreth 490 milionë lekë më shumë në buxhetin e vitit 2023, duke e cilësuar si të pamjaftueshëm për përballimin e nevojave të tyre fondet e akorduara nga qeveria.

Kjo kërkesë ka shkaktuar edhe përplasjen e parë mes këtyre dy institucioneve që nga koha kur Bajram Begaj u zgjodh në detyrën e kreut të shtetit. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Presidencës, Florian Kali, shumica e fondit që kërkohet do shkojë për rikonstruksionin e godinës, e cila ka lagështirë.

Ai kërkoi po ashtu edhe rritjen e numrit të punonjësve dhe pagës së tyre.

“Kemi nevojë për rikonstruksionin e godinës. Rikonstruksioni i fundit është bërë para 14 vitesh, kati i parë është i mbushur me lagështi. Kemi nevojë për lyerjen e godinës brenda dhe jashtë saj si dhe kthimi i godinës në parametrat e sigurisë të klasit A. Të gjitha këto kushtojnë rreth 400 milionë lekë. Pagat e institucionit nuk janë aty ku duhen në hierarkinë e piramidës që pagave të institucioneve.

Kemi vlerësuar një shtesë në strukturë për 10 persona. Këto ndryshime kërkojnë një shtesë prej 36 milionë lekë. Si dhe duam një rritje të shpenzimeve për 50 milionë lekë për veprimtarinë e Presidentit. Kosto totale e të gjithave do të jetë 490 milionë lekë. Shpresojmë që ky komision të na mbështesë në kërkesat tona”, tha Kali.

Por Vilma Çausholli, përfaqësuese e Ministrisë së Financave, u kërkoi përfaqësuesve të presidencës të detajojnë kërkesat për të parë mundësitë e plotësimit të tyre.

“Kërkesat duhet të detajohen edhe më tepër që të shohim mundësitë nëse ky fond është i nevojshëm dhe si mund të financohet kjo shumë e konsiderueshme. Nuk e kemi një vlerësim të tillë në detaje”.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, tha se: “Shikojeni mundësinë e rikonstruksionit të godinës dhe nëse është nevojë emergjente. Shikojeni edhe pjesën e rritjes së strukturës, besoj që është e arsyeshme përderisa ka të bëjë me sigurinë kibernetike”.

Në Komisionin e Ligjeve, opozita ngriti shqetësimin se në institucionin e Presidencës kanë ndodhur shkarkime masive pas ndërrimit të Presidentit. Enkelejd Alibeaj ngriti shqetësimin se kjo mund të ndikojë në buxhetin e këtij institucioni pasi ata mund të fitojnë gjyqet. “Do të doja një sqarim për disa njoftime që kanë dalë në media për disa shkarkime masive në Presidencë. Një pjesë e tyre sipas mediave kanë edhe statusin e nëpunësit civil.

Pyetjen dhe sqarimin do të doja ta dija që këto shkarkime masive nëse kanë ndodhur, a mund të sjellin ndonjë impakt në buxhetin tuaj se këta punonjës nëse shkojnë në Gjykatë dhe fitojnë gjyqet”, tha Alibeaj.

Por përfaqësuesi i Presidencës tha se lëvizjet janë bërë për shkak të ristrukturimit. “Ne kemi bërë një ristrukturim dhe kemi sjellë strukturën e Presidencës siç duhet pasi ishte në një piramidë jo të drejtë. Në vlerësimet e dosjeve personale të gjithë personat që nuk plotësonin kriteret sipas ligjit, janë bërë largimet për mospërputhje kriteresh specifike. Numrin total nuk ua them saktësisht.

Llogari për 2023 nuk shohim pasi nuk ka pasur asnjë procedim në gjykatën administrative. Nuk shohim ndonjë impakt gjatë viteve të ardhshme”, tha Kali. Për deputetin Gazment Bardhi, pagat duhet të rriten për të gjithë administratën publike, jo vetëm për Presidencën ndërsa u shpreh se duhet t’i vendosen në dispozicion mjetet për investimeve nëse ato lidhen me sigurinë e Presidencës.

“Nuk e pranojmë dot që Presidenca të bëjë pushime masive nga puna, vetëm se u ndërrua Presidenti i Republikës.

Punonjësit duhet të kenë qëndrueshmëri në punë. Ju strukturën bëjeni siç iu përshtatet më shumë, por respektoni ligjin për nëpunësit civilë. Ndodh për herë të parë në historinë 30-vjeçare që dalin në lajme për shkarkime masive nga puna në Presidencë”, tha Bardhi. Shqetësimit të demokratit, iu përgjigj kryetarja e Komisionit. Socialistja Bushka tha se: “Qëndrueshmëria e administratës është parim që garantohet. Ristrukturimi i institucioneve është e drejtë e vetë institucionit. Ne nuk bëjmë dot Gjykatën është bërë gabim apo jo”.


Shtuar 3.11.2022 09:30