Burri rreh barbarisht gruan shtatzënë: Nuk e mbaj mend se kisha pirë raki

“U ula në një lokal, mora kafe raki. Pastaj shkuam në një lokal tjetër. Edhe aty raki. Edhe në lokalin e radhës pimë raki. Kur shkova në shtëpi më priste gruaja”. Kështu u justifikua në polici për dhunën që ushtroi ndaj bashkëshortes Y. P, një 41 vjeçar, i cili pretendon se nuk mban mend asgjë, fill mbas momentit kur derën e shtëpisë ia hapi e shoqja, nënë e dy fëmijëve të tij dhe një të treti që çifti është në pritje.

Disa herë gazeta Si ka përshkruar për episode dhune të papërshkrueshme që ndonjëherë ngjajnë si pjesa e fundit e një jetë përpara se të mbyllet me vrasje. Kryesisht gratë rrihen sepse nuk u shërbejnë në kohë bashkëshortëve apo vëllezërve. Rasti me ekstrem u trajtua pak ditë më parë nga gazeta Si, ku u tregua se si një vajzë e re u rrah pasi nuk i bëri kafe turke të vëllait. Të tjera histori shpalosin dhunën e përditshme ndaj femrës, nëna që qëllohen nga fëmijë përdorues droge, bashkëshorte që goditen nga burra të dehur, tradhëtarë që kthehen vonë në banesë dhe që nuk kanë forcë të përballen me faktet dhe as fuqi që të përgjigjen. Ndaj dhe godasin.

Sipas dosjes qe policia i vendosi në dispozicion gazetës Si, të njëjtin fat ka patur edhe D.L, e cila është shtëpiake dhe rrit fëmijët e vegjël. Policia thotë se gruaja është në pritje të fëmijës së tretë dhe pavarësisht shtatzanisë ajo u rrah barbarisht. Sipas dëshmisë të administruar në komisariatin numër pesë, nervat e të dyshuarit dolën nga kontrolli vetëm nga një pyetje.

“Nuk paske shkuar në punë sot?”

Sipas gruas, që u pyet nga një agjente femër, i shoqi ju përgjigj; “Ty s’të jap llogari”.

“Sapo i hapa derën, ai i hodhi këpucët si përherë rrëmujë në korridor. Asnjëherë nuk është përshtatur ti vendosë në rregull, por kjo është diçka që jam mësuar unë si ti rregulloj çdo gjë që flak për tokë im shoq. E pashë që kishte pirë nga era. Dhe nëse ai kishte pirë alkool, do të thoshte që nuk kishte qenë në punë, ndaj e pyeta”,  justifikohet 38 vjeçarja para oficeres së krimeve. Pa një, pa dy gruaja u ndodh përpara një rrebeshi me grushta.

“Më goditi me grushta në kokë, në pjesën e pasme, më gjuajti me forcë në shpinë. Ndonëse ju luta të ndalonte ai vazhdonte. E paralajmërova se do të njoftoja policinë dhe aty më lëshoi”, kujton e dhunuara, e cila për pak ka rrezikuar të humbasë fëmijën nga agresioni i njeriut më të shtrenjtë për të.

Agjentja:  A keni patur raste të tjera dhune?

D.L- Po, rastet e dhunës janë të vazhdueshme. Mbaj mend në shtator 2020 u dhunova nga burri, por nuk e kallëzova me shpresë se nuk do ta përsëriste më herë tjetër. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Agjentja: Kush ishte prezent kur ju qëlloi?

D.L- Njëri nga fëmijët. I dyti po luante në dhomën tjetër. Por i dëgjoi të bërtiturat e mia.

Policia referon se mbasi mori në pyetje dhunuesin u habit nga humbja e kujtesës së tij. “Ai mban mend çdo moment deri në çastin kur hyri në shtëpi”– shprehet një burim policor. Por më pas insiston që pija kishte bërë efekt.

“U nisa për në punë, por binte shi dhe nuk punohej atë ditë në ndërtim. Së bashku me shokët shkuam në një lokal ku konsumuam një kafe dhe raki. U nisa për në drejtim të shtëpisë,  por u ula në një klub tjetër, aty kafe e raki, kafe e raki. Edhe në klubin e tretë e të katërt mora raki. Kështu veprova deri sa mbërrita në shtëpi kur më hapi derën gruaja. Më vonë u habita kur në shtëpi erdhi policia, pasi nuk mbaj mend ta kem rrahur”,  mohon 41 vjeçari i cili pavarësisht këtij qëndrimi akuzohet për dhunë në familje.


Shtuar 21.03.2021 19:56

Tags: ,