Shumë gra përfundojnë në spital nga traumat e dhunës në familje. Por ato mbajnë nofullat shtrënguar dhe nuk pranojnë të tregojnë se çfarë ka ndodhur me to. Sidoqoftë janë mjekët ata që rrëmbejnë telefonin dhe kërkojnë praninë e uniformave blu në ambientet spitalore për t’i dhënë përgjigje se çfarë ka ndodhur dhe kush i ka keqtrajtuar.
Kështu ndodhi dhe me një 29-vjeçare, e cila u dërgua nga familja me urgjencë në spitalin “Nënë Tereza”, por që pasi doli nga gjendja e vështirë për jetën, ajo heshti, pasi shumë herë e kishte falur të shoqin me inicialet L.H., dhe shumë herë e kishte denoncuar, por gjendja nuk kishte pasur asnjë ndryshim.
Megjithatë, nuk mbajti të njëjtin qëndrim e ëma, e cila rrëfeu ditët e vështira e të dhunshme të 29-vjeçares me inicialet A.M., e cila pa si shteg shpëtimi dhënien fund të jetës, që fatmirësisht u shpëtua.
Rrëfimi i familjarëve të saj, zbuloi se e reja me inicialet A.M., vazhdimisht ishte dhunuar nga bashkëshorti dhe pasi duroi për një kohë të gjatë, ajo vendosi që të hapë sirtarin dhe të pijë një sasi të madhe medikamentesh.
29-vjeçarja, i kishte dhënë fund martesës në Durrës dhe u kthye në fshatin e lindjes në rrethinat e kryeqytetit dhe në gjendje depresioni. Pasi policinë e kishte njoftuar shumë herë, ajo përdori të gjitha ilaçet e prindërve, që nga ato me reumatizëm, deri tek medikamentet për temperaturën e lartë dhe për dhimbjen e kokës.
Burimet policore i thanë Gazetasi.al, se pasi 29-vjeçarja ka dalë nga observacioni, policia e ka lënë atë të qetë dhe ndonëse është sjellë sikur e ka besuar rrëfimin e saj, ku mohohet çdo gjë, ka shkuar pranë të afërmve që kanë treguar se çfarë kishte ndodhur.
Pas ndarjes, e reja ishte kthyer tek prindërit dhe shkak ishte dhuna. Por edhe aty i shoqi l.H., nuk e ka lënë të qetë. Burimet e Gazetasi.al, tregojnë se e ëma e vajzës, me inicialet B.M., i thotë policisë, “dhëndri erdhi në banesë dhe e qëlloi me shuplakë e grushte time bije, ajo mbante në krahë fëmijën e mitur, ne bërtitëm dhe kur ndërhyra, ai mori makinën dhe iku”.
Gjithë debati i ndodhur në atë çast sipas të moshuarës, dëshmitare në ngjarje, ndodhi, pasi burri që më pas u arrestua këmbëngulte që e reja të kthehej me të. Por fjalia që dëgjuan prindërit e saj ishte kjo: nuk kthehem me ty, ti je shumë i dhunshëm”.
Falje, telefonata, kërcënime dhe rrahje
Bashkëjetesa mes 29-vjeçarit dhe djalit të dhunshëm, i cili akuzohet tanimë nga policia për dhunë në familje, zgjati nga viti 2017 deri verën e 2021. Çifti, thonë burimet e Gazetasi.al, nga kjo martesë ka një vajzë të vogël.
E ëma rrëfen më tej: “Kur ime bijë ishte shtatzënë në muajin e shtatë, mbaj mend se gjendej në shtëpinë tonë. Erdhi dhëndri dhe e rrahu pa asnjë shkak. A., e dërguam të bëjë kallëzim në komisariatin e Durrësit dhe vajzën e mora në shtëpi, nuk e lejova të kthehej tek burri”. Ndarja mes çiftit ka zgjatur derisa ka lindur fëmija, që u soll në jetë në shtëpinë e gjyshërve.
Gjyshja shton në polici, se mbas lindjes së vajzës , dhëndri u kthye dhe kërkoi falje. Pendesa e tij e bindi të renë se duhej të kthehej tek i shoqi.
“Në një nga ditët, më telefonoi vajza e madhe e shqetësuar, më tregoi se e motra e kishte marrë në telefon dhe i kishte treguar sërish dhunën ç’njerëzore dhe i kishte kërkuar të motrës të më njoftonte mua dhe policinë. Së bashku me bashkëshortin shkuam në komisariatin e Durrësit, ku dhe kemi marrë vajzën që sërish kishte bërë kallëzim”.
Por teksa prindërit e kanë marrë sërish vajzën dhe mbesën në banesën e tyre, dhëndri ka kërkuar falje dhe për këtë për herë të dytë 29-vjeçarja e ka falur dhe është rikthyer për herë të dytë me të.
“Herën e tretë ata erdhën për vizitë dhe vajza kërkoi të qëndrojë disa ditë së bashku me fëmijën. Dhëndri i la. Pas dy-tre ditësh L.H., e telefonoi vajzën dhe e pyeti kur do vinte ta merrte, por vajza ime iu përgjigj; nuk kthehem më tek ti, ti je i dhunshëm”.
Policia i thotë Gazetasi.al, se nuk ka kaluar shumë kohë nga kjo telefonatë mes çiftit, kur ata kanë parë se në oborr ia ka behur dhëndri.
“Ime bijë bërtiti, me zor nuk më mban dot, je shumë i dhunshëm, por ai megjithëse gjendeshim të gjithë aty, e qëlloi me shuplakë”, – dëshmon në polici nëna e gruas së dhunuar.
Kjo shtetase, me inicialet B.L., që është dëshmitarja kryesore, shton se në një moment nga dhuna, ajo pa se të bijës iu nxi syri dhe se si formuan numrin e telefonit dhe kërkuan ndihmë pranë policisë.
“Por policia e komisariatit numër 6, na u përgjigj se ishte tepër vonë dhe se nuk kishin makinë për momentin dhe se e mira ishte të shkonim ne në komisariat. Meqenëse ishte shumë vonë dhe nuk kishim me çfarë të shkonim, nuk bëmë fare kallëzim”, – thuhet në fashikullin e përgatitur me akuzë për shtyrje në vetëvrasje kundër burrit të dhunshëm.
“Pas kësaj ngjarjeje L.H., e telefononte pa ndërprerje. E kërcënonte me jetë nëse nuk kthehej tek ai. Në këto kushte, duke qenë e tronditur dhe në gjendje të rënduar, ajo ka pirë të gjitha ilaçet që i ka gjetur nëpër sirtarë dhe familja e ka gjetur atë pa ndjenja.
E reja, e cila ishte e martuar në Durrës, sipas burimeve të Gazetasi.al, rezulton me dy urdhra mbrojtjeje nga kjo gjykatë, të cilat nuk e kanë ndihmuar që t’i shpëtojë të shoqit, ndonëse ajo u largua me dashje në shtëpinë e vajzërisë, ku dhe ai e ndoqi pas dhe e kanosi, duke e shtyrë në vetëvrasje. Policia bën me dije për Gazetasi.al, se 29-vjeçarja ka dalë nga rreziku për jetën dhe është kthyer në shtëpi, kurse bashkëjetuesi i saj u dërgua në burg. /Si