Burrel/ I burgosuri futet në grevë urie, letra e të dënuarit me burgim të përjetshëm

Një i dënuar që po vuan dënimin e tij në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, prej 5 ditësh është futur në grevë urie. Këtë e ka bërë të ditur vetë i burgosuri Valmir Hoxhaj nga Malësia e Madhe.

Gazetari Enver Doçi, raporton se në një letër që Hoxhaj i ka dërguar thekson se transferimi i tij në këtë burg është i padrejtë, pasi fillimisht e kanë tranferuar nga burgu i Peqinit për në Reç të Shkodrës, por aty e kanë mbajtur vetëm 24 orë dhe më pas e kanë transferuar në Burrel.

I dënuari me burgim të përjetshëm, thotë se ky transferim është i padrejtë dhe se argumenti i dhënë nuk qëndron pasi atje nuk i rrezikohet jeta, siç është një ndër arsyet e transferimit.

Në letrën e tij, Valmir Hoxhaj, akuzon strukturat drejtuese të burgut të Reçit, që sipas tij, kanë shkelur ligjin disa herë duke futur brenda burgut sende të paligjshme dhe kjo nuk do të ishte e lehtë më pas.

Ai i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatit të Popullit të reagojnë dhe ta rikthejnë në burgun e Reçit, ku ka edhe vëllain si dhe familjen, pasi deklaron se nënën e ka të sëmurë, në të kundërt – thotë ai, do të vijojë grevën e urisë deri në vetëflijim.


Shtuar 24.05.2024 15:54