Burg e 10 mijë euro dëmshpërblim? Gjergj Leka tregon përplasjen me Flutura Açkën

Një përplasje e fortë dhe e shumëdiskutuar mes Gjergj Lekës dhe Flutura Açkës ndodhur disa vite më parë u rivendos në vëmendje sot në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi. Vetëm kantautori zgjodhi të hedh dritë në historinë e zhvilluar rreth 6 vite më parë, ku Açka shkruante mbi nje bisedë të Lekës me këngëtaren e mirënjohur shqiptare Parashqevi Simakun. U përfol se Leka kërkoi përpilimin e një ankimi për “fyerje” kundër shkrimtares, dënimin me 1 vit burg të shkrimtares për kryerjen e veprës penale të “fyerjes së kryer botërisht”, si dhe dëmshpërblimin e kantautorit për dëmin pasuror e jopasuror të shkaktuar në masën 10 mijë euro.

Por cila është e vërteta pas këtyre deklaratave?

“Këto 10 mijë euro dëmshpërblim e një vit burg, janë të thëna nga një avokat. Kjo puna e burgut? Këto janë budallallëqe, madje edhe me Fluturën jam takuar…” – sqaron Gjergj Leka.

Për më tepër Leka shtoi se i qëndron deklaratave të kohës, por tashmë kjo çështje i takon të shkuarës dhe “goditje” të tilla i pret për shkak të pozitës së tij në fushën e artit.

“Unë fjalët që i kam thënë vetë, nuk u heq një presje. Kam pasur jo vetëm presione, por nuk më bëhet vonë fare. Nëqoftëse jam i bindur për atë që them. Pastaj sa gjëra zbukurohen unë ndonjëherë edhe kam qeshur. Ndoshta në këto gjëra mund të më jetë mërzitur nusja më tepër por unë isha mësuar.”


Shtuar 14.01.2022 18:24