Të martohesh në Shqipëri post periudhës së pandemisë duhet të prenotosh lokalin e dasmës 1 vit para.
Deri në muajin shtator të gjitha lokalet e dasmave në Tiranë dhe rrethina janë të prenotuara. Operatorët e dekoreve për festa, martesa apo ditëlindje pohojnë se pavarësisht se dhjetori është muaj festiv, po përkon me sezon të lartë të mbajtjes së dasmave.
Klea Kolbuçaj nga agjencia “Ester Event” tha për “Monitor” se në këtë periudhë dhjetori ka një fluks të lartë kërkesash për dekore dhe zbukurime ambientesh për dasma. Sipas saj shtimi i kërkesës është për shkak të ambienteve të prenotuar që 1 vit para në Tiranë, ku shumë çifteve të reja u ka mbetur si alternativë mbajtja e dasmës në muajin festiv të dhjetorit.
“Fluksi i lartë i dasmave në këtë periudhë është e pazakontë. E gjitha kjo vjen për shkak të situatës post pandemike, ku për shkak të bllokimit të lëvizjeve shumë çifte shtynë në kohë organizmin e ceremonisë martesore, pavarësisht se në pandemi u zhvilluan në fshehtësi disa dasma. Shtyrja e ceremonisë ka sjellë që të gjitha lokalet e dasmave të jenë të prenotuara deri në fund të muajit shtator 2023. Për këtë arsye po zhvillohen më së shumti dasma në muajin dhjetor”.
Kolbuçaj thotë se kërkesa për dekore dasmash dominohet nga shtetas shqiptarë që jetojnë në emigracion. Çmimet e dekoreve variojnë nga çmimi minimal prej 500 euro deri te çmimet maksimale 5,000 dhe 10,000 euro.
Biznesi i organizmit të dasmave ishte ndër të parët që u mbyllën në pandemisë nga Covid-19. Operatorët në atë periudhë shkurtuan 70% të stafeve.
Ndërsa sipas një studimi të përfaqësuesit të kompanisë së eventeve “Geraldina Sposa” Armand Peza humbjet e sektorit nga mosmbajtja e dasmave llogariteshin në vlerën e 165 milionë eurove. Për llogaritjen e kostos të humbjeve, studimi i kompanisë iu referua të dhënave zyrtare të gjendjes civile për martesat ligjore, ku për vitin 2019 janë kryer në Shqipëri 32,396.
Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2018 numri i martesave në vend ishte 23,104. Instituti i Statistikave shpjegoi se raporton vetëm martesat që kryhen brenda vendit. Martesat që ndodhin jashtë me shtetas shqiptarë dhe që regjistrohen në gjendjen civile nuk janë objekt i martesave të analizuara nga INSTAT.
Ndër të tjera analiza e kompanisë veçonte se në vitin 2022 mbeten të papuna apo me paga të reduktuara rreth 27 mijë njerëz të punësuar në sektor dhe në bizneset mbështetëse, duke përfshirë: sallonet e nusërisë, kameramanët, fotografët, muzikantët, DJ, ndriçimi profesional, fonia, makina me qera etj/Monitor