Bullgaria dëbon kreun e Kishës Orthodokse, tërbohet Rusia

Bullgaria dëboi sot kreun e kishës orthodokse ruse në Sofje dhe dy priftërinj bjellorusë, duke i akuzuar ata se i shërbenin interesave gjeopolitike të Moskës, një vendim i cilësuar si “satanik” nga ambasada ruse.

Shërbimi i sigurimit kombëtar të Bullgarisë njoftoi dëbimin e tre burrave, duke përmendur vetëm emrat dhe kombësitë e tyre. Ai gjithashtu ua ndaloi hyrjen në vend për pesë vitet e ardhshme.

Të tre akuzohen për zbatimin e strategjisë hibride të Rusisë që synon të ndikojë në proceset socio-politike në Bullgari në favor të interesave të Kremlinit, sipas një deklarate nga agjencia.

Në një postim në Facebook, ambasada ruse theksoi se mes të treve ishte edhe përfaqësuesi i kishës ortodokse ruse në Sofje, arkimandriti Vasian.

Qeveria bullgare pro-evropiane “me sa duket ka marrë përsipër misionin e vënies së popullit rus dhe bullgar kundër njëri-tjetrit”, u ankua ambasada ruse, duke shprehur “zemërimin” e saj për vendimin “befasues”. “Ky rast është i paprecedentë, rezultat i një mendjeje satanike”, shtoi ambasada.

“Ky rast është i paprecedentë,” tha ambasadorja e Rusisë në Sofje, Eleonora Mitrofanova, në një video të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve TASS.

Një anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, një vend sllav dhe ortodoks, Bullgaria është historikisht dhe kulturalisht e afërt me Rusinë. Por marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.

Në qershor 2022, Sofja njoftoi dëbimin e 70 diplomatëve rusë.


Shtuar 21.09.2023 18:21