Broja drejt largimit nga Chelsea

Revolucion masiv te Çelsi në verë. Ashtu siç pritej, blerjet e çmendura gjatë merkatos së verës së kaluar dhe të janarit, do të shtyjnë klubin londinez që të bëjë spastrime të mëdha në merkaton e verës për të rregulluar bilancet financiare, por edhe për të larguar ata lojtarë të cilët janë jashtë planeve për të ardhmen.

“The Athletic” bën të ditur se ky revolucion përfshin 12 lojtarë, të cilët do të nxirren në shitje në merkaton e verës për të përfituar të ardhura, duke pasur parasysh se për ta ka interes të madh nga klube të tjera. Dhe në listën në fjalë, është edhe emri i Armando Brojës.

Ndonëse sulmuesi në fillim të këtij sezoni rinovoi kontratën e tij duke nënshkruar për 7 vitet e ardhshme, për shkak të dëmtimit ka humbur pjesën e dytë të edicionit dhe duket se kjo do të ndikojë në vendimin e klubit për vijimësinë e tij te blutë. Portali i njohur britanik bën të ditur se londinezët janë gati ta lënë atë të largohet, pasi nuk mundet t’i japin më minuta duke pasur parasysh numrin e madh të prurjeve të reja në repartin ofensiv.

Por nuk është vetëm Broja, pasi emra të tjerë me shumë peshë parashikohet që t’i japin lamtumirën bluve londinezë si Aubamejang, Maunt, Çilluell aap Havertz që duket se nuk bëjnë pjesë në planet e të ardhmes për trajnerin Graham Poter.


Shtuar 13.03.2023 17:16