Brenda muzeut me pulla që nga Pavarësia, Bushati: Të krijohet “nishani” i 2-të i vaksinimit

Bashkë me pavarësinë ka lindur edhe një nga institucion e para të shtetit shqiptar siç është Posta. Pikërisht në ambientet Postës Shqiptare janë ekspozuar pullat postare që nga shpallja e Pavarësisë e deri në ditët e sotme, që kanë vlerën e një aseti kombëtar për historinë dhe trashëgimisë kulturore. Drejtori i Postës Shqiptare Ervin Bushati për emisionin “Bardh a Zi” në ABC tha se mbledhja e këtyre materialeve shërben jo vetëm për të sjellë në kujtesë historinë përmes pullës shqiptare, por dhe për krijimin e një muzeu që mund të vizitohet nga çdokush.

“6 ditë pas shpalljes së pavarësisë Ismail Qemali vendosi të hapë edhe postën. Posta është një nga institucionet më të vjetra shqiptare, ndaj këtu kemi të ekspozuara pikënisjen e shtetit shqiptar nëpërmjet pullës për të bërë që Shqipëria të njihte pavarësinë. Posta e parë është një vulë, nga vula e parë shikojmë se kemi çdo detaj dhe funksion të shtetit shqiptar të konsoliduar. Kemi pulla dhe mënyra komunikimi të ndryshme. Kryesoret janë ata patriotike që kanë të bëjnë me shpirtin e të qenit shqiptar”, tha mes të tjerash Bushati.

Duke bërë prezantimin e pullave, Bushati tha se në 1943 kemi një pullë të krijuar për arsye vaksinimi. Ai rekomandoi se do ishte interesante të krijohej një pullë për COVID, më tepër shtoi Bushati për të dhënë mesazhin që qytetarët të vaksinohen, me të njëjtin qëllim që u krijua dhe atëherë.

“1943 kemi një pullë të emetuar të prodhuar për arsye të vaksinimit, kemi shtetin që përpiqej atëherë të vaksinoheshin qytetarët, kemi një nënë me një fëmijë në pullë. Do ishte interesante të bëhej diçka e tillë edhe sot, sepse po zgjat COVID-i. Më tepër për të dhënë mesazhin që të vaksinohen”, shtoi Bushati.

Kjo hapësirë do të jetë e hapur për turistët, por njëkohësisht edhe për koleksionuesit e pullave. Bushati tha se po punojnë që ta bëjnë muzeun 3D në mënyrë që të jetë i vizitueshëm edhe online.

“Këtu vetë historia e shtetit shqiptar është përmbledhur në periudha të caktuara sipas pullës. Në ato vite posta ka qenë në vend të internetit dhe telefonëve. Lajmet shpërndaheshin nëpërmjet pullave. Kemi pulla shumë të bukura me kostumagrafi, me Naxhi Bakallin. Kemi artistë të ndryshëm. Kemi në plan që të vazhdojmë dhe ta shtojmë fondin dhe shpesh të bëjmë dhe ekspozita të dedikuara. Do të donim të hapnin edhe disa ekspozita të koleksionistëve të caktuar.

Kostumografia kam përshtypjen se është ndër pullat më të kërkuara. Duam ta bëjmë në 3D muzeun të jetë i vizitueshëm online, edhe për të huajt që mund të kenë interes”, nënvizoi më tej./abcnews.al


Shtuar 1.12.2021 21:45