Vrasja e ushtarëve amerikanë, reagon Wesley Clark: Të godasim burimin e sulmeve, Iranin!

Forcat amerikane morën një goditje të rëndë në Lindje e Mesme, ku të paktën 3 ushtarë humbën jetën dhe më shumë se 20 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me dron pranë kufirit mes Jordanisë dhe Sirisë.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Wesley Clark, gjenerali në pension i ushtrisë amerikane, ish-komandant suprem i aleatëve në Evropë. Ai shkroi në rrjetin social X, ish-Twitter, se Amerika duhet t’i përgjigjet sulmit në Jordani duke goditur objektivat iraniane.

“Amerika duhet të ndalojë duke thënë ‘ne nuk duam përshkallëzim’. Për ta është një ftesë për të na sulmuar. Mos i quani sulmet tona ‘përgjigje’. Është reaguese. Ne duhet të shkatërrojmë aftësitë e tyre ushtarake dhe të godasim burimin: Iranin”.

Pas ngjarjes reagoi edhe Biden, i cili u zotua se do të gjithë përgjegjësit do të japin llogari për ngjarjen e rëndë, teksa e drejtoi gishtin nga grupet militante të mbështetura nga Irani.

“Natën e kaluar, tre ushtarë amerikanë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me dron ndaj forcave tona të vendosura në Jordaninë verilindore pranë kufirit me Sirinë. Ndërsa jemi ende duke mbledhur fakte për këtë sulm, ne e dimë që ai është kryer nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak. Të gjithë përgjegjësit do të japin llogari për këtë ngjarje. Tre patriotët do të nderohen për trimërinë e tyre, ndërsa ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për të luftuar terrorizmin”, tha presidenti amerikan.

Sulmi ka ndodhur në një zonë pranë kufirit me Sirinë, duke përshkallëzuar edhe më tej pasigurinë në Lindje të Mesme. Që nga e premtja, më shumë se 158 sulme janë shënuar ndaj forcave amerikane dhe atyre partnere vendase në Irak dhe në Siri. Megjithatë, zyrtarët amerikanë e kishin përshkruar breshërinë e raketave e sulmeve të dronëve si të pasuksesshme, teksa shumë ishin eliminuar që në ajër duke mos shkaktuar të lënduar dhe dëme në infrastrukturë.