Rrënojat e fluturimit 526A të Pan American World Airways (Pan Am), të zhdukura prej më shumë se shtatë dekadash, janë gjetur në fund të Oqeanit Atlantik nga një grup ndërkombëtar kërkuesish. Aksidenti konsiderohet ndër tragjeditë më të rënda të aviacionit civil.
Mbetjet e avionit u lokalizuan më 2 qershor, rreth tetë kilometra larg bregdetit të San Juanit, në Porto Riko, dhe në një thellësi afërsisht 600 metra. Për zbulimin u përdor një mjet autonom nënujor me sonar dhe kamera me rezolucion të lartë, i cili kreu skanime në zonë për disa ditë.
Të lidhura
None found
Pamjet fillestare vërtetuan se bëhej fjalë për avionin e Pan Am, raportoi The New York Times. Në to dalloheshin logoja e kompanisë, pjesë të strukturës së avionit, marshi i uljes dhe dritaret e kabinës. Edhe pse ka kaluar 74 vjet nën ujë, një pjesë e konsiderueshme e strukturës është ruajtur në mënyrë befasuese.
I njohur gjithashtu me emrin “Speciali i Pashkëve”, fluturimi 526A ishte nisur nga San Juani drejt New Yorkut më 11 prill 1952. Nëntë minuta pas ngritjes, dy prej katër motorëve të avionit Douglas DC-4 shfaqën defekte. Piloti u përpoq të rikthehej në aeroport, por rënia e vazhdueshme e lartësisë e detyroi të bënte një ulje emergjente në Atlantik.
Përplasjes së parë me sipërfaqen e ujit i mbijetuan të 69 personat që ndodheshin në bord. Vetëm pak minuta më pas, megjithatë, struktura e avionit u ça dhe mjeti nisi të fundosej. Deti i trazuar, rrëmuja gjatë largimit nga avioni dhe ngurrimi i shumë udhëtarëve për ta braktisur atë patën pasoja fatale. Gjithsej humbën jetën 52 persona, shumica nga mbytja, ndërsa trupat e 39 viktimave nuk u gjetën asnjëherë.
Në projektin e kërkimit mori pjesë edhe Josh Gates, drejtuesi i emisionit “Expedition Unknown” në Discovery Channel, i cili e cilësoi zbulimin si një çast shumë emocionues.
Ai tha se ekipi kishte mbetur pa fjalë kur kishte parë imazhet e para. Sipas Gates, avioni ishte konservuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe pamja e strukturës së tij ende të identifikueshme në shtratin e detit kishte qenë një përvojë e pabesueshme.
Sipas ekspertëve, aksidenti i vitit 1952 u kthye në një moment vendimtar për aviacionin civil. Tragjedia çoi në miratimin e procedurave të reja të sigurisë, mes tyre edhe udhëzimet e detyrueshme që u jepen pasagjerëve përpara çdo fluturimi dhe që vazhdojnë të zbatohen sot.
Kërkimi u udhëhoq nga Fondacioni Air/Sea Heritage, por për vite me radhë u pengua nga kushtet e vështira atmosferike dhe pandemia e COVID-19. Nëndetësja autonome kreu rreth 30 misione mbi vendin ku ishte fundosur avioni dhe regjistroi më shumë se 350 mijë fotografi.
Grupi kërkimor njoftoi se nuk do të zhvillohen operacione për nxjerrjen e rrënojave dhe as kërkime për mbetje njerëzore, pasi zona do të trajtohet si memorial i tragjedisë.
