Vdekja tragjike e 22-vjeçarit që ngriu gjatë stuhisë së dëborës

Një ngjarje tragjike ka tronditur ndjekësit e platformës YouTube, pasi 22-vjeçari belg, Storm De Beul, humbi jetën gjatë një aventure në vargmalet e krahinës Lapland, Finlandë.

Storm, një eksplorues dhe YouTuber i njohur për dokumentimin e udhëtimeve të tij, ndërroi jetë më 30 tetor 2024, pasi u bllokua nga një stuhi e papritur dëbore.

Videoja e fundit në kanalin e tij, e publikuar para tragjedisë, ka marrë më shumë se 50,000 shikime, ndërsa komentet nga ndjekësit janë mbushur me ngushëllime dhe mesazhe përkrahjeje për familjen e tij.

Sipas mediave Belge, Storm kishte kontaktuar shërbimet e emergjencës para se të ndodhte tragjedia, duke dhënë shpresë për shpëtim.

Në një nga mesazhet e fundit të tij, ai shkruante: “Po bie shumë dëborë, por mos u shqetësoni, do t’ia dal”.

Trupi i të riut u gjet gjysmë i ngrirë dhe me plagë të lehta në fytyrë.

Sipas nënës së tij, Storm mund të jetë detyruar të largohej nga strehimi i improvizuar për shkak të kushteve ekstreme.

“Stuhia kishte rrëzuar pemë atë natë. Ndoshta tendën e tij e mori era, dhe ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta ndiqte”, tha ajo.

Autoritetet finlandeze, raportuan se kushtet e vështira të motit dhe dëbora e dendur kufizuan hetimet për të përcaktuar me saktësi rrethanat e vdekjes.

Babai i Storm De Beul, është zotuar të udhëtojë në Finlandë për të kërkuar kamerën e të birit, duke shpresuar të rikuperojë regjistrimet e fundit.

“Videot e tij janë një trashëgimi e paçmuar për ne. Kamera e tij duhet të jetë diku atje në dëborë, me imazhet e udhëtimit të fundit. E di që shanset janë të vogla, por duhet ta provoj,” tha ai për Daily Star. Familja dhe ndjekësit e tij kanë mbetur të pikëlluar nga humbja e një të riu plot pasion për eksplorimin dhe ndarjen e historive të tij. Pavarësisht rrethanave tragjike, ata shpresojnë që regjistrimet e Storm-it të fundit të mund të shërbejnë si një kujtim i përjetshëm i aventurave të tij të guximshme dhe dashurisë për natyrën.