Dy sulme ajrore izraelite në pjesën veriore të Bregut Perëndimor shkaktuan të shtunën vdekjen e nëntë militantëve palestinezë, tha ushtria izraelite, ndërsa vazhdojnë tensionet lidhur me luftën në Gazë.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj goditën në mëngjes herët një automjet në një zonë rurale në veriperëndim të qytetit të Tulkaremit, duke vrarë pesë pasagjerët brenda tij. Ushtria tha se ata kishin në plan të kryenin një sulm.
Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se trupat e të vrarëve u dërguan në një spital aty pranë. Hamasi më vonë i identifikoi të pesë personat si militantë të grupit, përfshirë një komandant lokal.
Më vonë të shtunën, ushtria izraelite tha se vrau katër militantë të tjerë palestinezë në zonën e Tulkaremit, menjëherë pasi ata hapën zjarr ndaj trupave izraelite që vepronin në zonë, por nuk dha hollësi të tjera.
Mbi 590 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në Gaza në tetor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë që nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve.
Grupet militante palestineze, përfshirë Hamasin dhe Xhihadin Islamik Palestinez, janë aktive në qytetin e Tulkaremit. Sulmet e fundit vijnë disa ditë pas vrasjes së drejtuesit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran të mërkurën herët dhe komandantit të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr në Bejrut një natë më herët.
Përshkallëzimi ka shkaktuar shqetësim për rrezikun e zgjerimit të konfliktit në rajon. Irani dhe grupet e lidhura me të, përfshirë Hezbollahun në Liban, janë zotuar të hakmerren kundër Izraelit që ka konfirmuar se ka vrarë Shukurin, por as nuk ka konfirmuar as mohuar se ka pasur rol në vrasjen e Hanijesë.
Garda Revolucionare e Iranit tha se Hanijeh u vra si rezultat i një goditjeje me rreze të shkurtër veprimi dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se e kishte mbështetur sulmit.
Pentagoni tha të premten vonë se ushtria amerikane do të dërgojë zhvendosë një avionësh luftarakë shtesë në Lindjen e Mesme dhe do të mbajë një aeroplanmbajtëse në rajon.
Një ditë më herët, Presidenti Joe Biden tha se i kishte kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të shfrytëzonte mundësinë për një armëpushim me Hamasin, duke shtuar se vrasja e Hanijesë “nuk i kishte ndihmuar” përpjekjet për të negociuar për përfundimin e luftës./ VOA