Trump thirrje Putin: Ke 10 ditë kohë për të arritur armëpushimin me Ukrainën

Duke filluar nga data 29 korrik, Vladimir Putin ka 10 ditë kohë për të arritur një armëpushim me Ukrainën, ndryshe Rusia do të të përballet me sanksione.

Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve në avionin e tij Air Force One teksa kthehej nga Skocia, se duke filluar nga e marta, hyn në fuqi afati që ai i vendosi homologut rus.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin tarifa dhe sanksione të tjera ndaj Rusisë nëse marrëveshja e armëpushimit nuk arrihet. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk e di ndikimin që tarifat mund të kenë ndaj Rusisë dhe se Putin ndoshta do ta vazhdojë luftën, por ky vendim do të përballet me pasoja.

Ditën e hënë gjatë një takimi me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidenti amerikan vendosi një afat të ri ndaj liderit rus, duke kërcënuar me sanksione të reja nëse Moska nuk ndërmerr hapa për të ulur tensionet.

Afati i ri ishte 10 deri në 12 ditë, ndryshe nga ai prej 50 ditësh që kishte vendosur rreth dy javë më parë.

Sipas medias amerikane Bloomberg, masat që po shqyrtohen përfshijnë sanksione dytësore që do të godisnin jo vetëm Rusinë, por edhe vendet e treta që vazhdojnë të blejnë produkte ruse, siç është nafta.

Qëndrimi i Trump ndaj Vladimir Putin ka ndryshuar tërësisht javët e fundit. në fillim të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Trump kishte thënë vazhdimisht se kreu i Kremlinit dëshiron t’i japë fund luftës, por Ukraina po bëhet pengesë. Së fundmi presidenti amerikan ka deklaruar të kundërtën, duke e kritikuar ashpër Vladimir Putin.


Shtuar 29.07.2025 22:37

Tags: ,