Tjetër balonë spiune? Joe Biden urdhëron ushtrinë të rrëzojë një objekt fluturues mbi Alaskë

Pas urdhërit të Presidentit Joe Biden, ushtria amerikane ka rrëzuar një tjetër objekt të dyshimtë, që po fluturonte mbi hapësirën e Alaskës.

Lajmi u bë i ditur nga departamenti i Mbrojtjes Amerikane, i cili thekson se një objekt i dyshimtë ishte duke flturuar mbi Alaskë gjatë 24 orëve të fundit.

“Departamenti i Mbrojtjes po gjurmonte një objekt në lartësi të madhe mbi hapësirën ajrore të Alaskës në 24 orët e fundit,” u tha gazetarëve koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike, John Kirby, kur u pyet për thashethemet për një tjetër balonë të dyshuar kineze të vëzhgimit.

Objekti, tha Kirby, po fluturonte në një lartësi prej 40,000 këmbësh dhe “paraqiste një kërcënim të arsyeshëm për sigurinë e fluturimit civil”.

“Presidenti Biden urdhëroi ushtrinë të rrëzonte objektin dhe ata e bënë”, tha Kirbi.

Është hera e dytë në më pak se një javë që avionët luftarakë amerikanë rrëzojnë një objekt që fluturonte mbi hapësirën ajrore amerikane. Administrata Biden është përballur me pyetje lidhur me trajtimin e saj të një balone të dyshuar si spiune kineze që lundroi në të gjithë vendin javën e kaluar përpara se të rrëzohej në Oqeanin Atlantik në brigjet e Carolinas të shtunën.

/AlbEu.com/


Shtuar 10.02.2023 21:26