“Super plani” i Joe Biden në 100 ditët e para të presidencës së tij

Kreu i Shtëpisë së Bardhë Joe Biden, i ka kërkuar kongresit amerikan dhe senatit që të miratojnë planin e tij prej miliarda dollarësh për rimëkëmbjen e vendit. Në fjalimin e 100 ditëve të para të presidencës ai premtoi reformim të policisë, politikave të emigracionet dhe më shumë asistencë për familjet.

“E ardhmja e Amerikës është në duart tona”, tha Biden.

Në planin e tij ambicioz të reformave, i treti në tre muaj, kreu i Shtëpisë së Bardhë parashikon arsimim falas për të gjithë, përfshirë dhe universitetet, më shumë asistencë për familjet me fëmijë dhe kopshtet.

Presidenti amerikan deklaroi se kishte trashëguar një vend në krizë, i cili tashmë është sërish në lëvizje, sidomos pas suksesit të fushatës së vaksinimit. Kryetarja e dhomës së deputetëve së bashku me zv/presidenten Kamala Harris, shkruan historinë: për herë të parë dy gra që mbajnë postin e dytë dhe të tretë më të lartë të shtetit.

Si reaguan republikanët?

Kryetarja e Komitetit Kombëtar të  Republikanëve (RNC) Ronna McDaniel tha që 100 ditët e para të Biden në detyrë ishin “një dështim”.

“Në fjalimin e tij përurues, Biden bëri thirrje për unitet. Kjo ishte një gënjeshtër, dhe kombi ynë ndodhet në një situatë më të keqe dhe ne jemi më të përçarë falë Joe Biden,” tha ajo.

Senatori Tim Scott – një pretendent për president në 2024 dhe senatori i vetëm republikan me ngjyrë – ndoqi me shumë vëmendje fjalimin e Biden. Ai tha se propozimet e presidentit do të “ulnin pagat një punëtori mesatar amerikan” dhe i hodhi poshtë duke i cilësuar humbje kohe.

Scott më pas foli rreth  racizmit në Amerikë: “Amerika nuk është një vend racist. Por është shumë mbrapa në luftën kundër llojeve të ndryshme të diskriminimit dhe është e gabuar të përpiqesh të përdorësh të kaluarën tonë të dhimbshme për të mbyllur në mënyrë të pandershme debatet e të tashmes, përfundoi ai.


Shtuar 29.04.2021 14:13