Një seri sulmesh masive ruse me raketa goditi gjatë natës Kievin dhe zonat përreth, duke lënë të vrarë të paktën pesë persona dhe duke plagosur 23 të tjerë, sipas autoriteteve ukrainase.
Të lidhura
None found
Banorët e kryeqytetit u detyruan të strehoheshin në hapësira nëntokësore, mes tyre edhe në parkingje, ndërsa në disa pjesë të Ukrainës vijuan alarmet për sulme ajrore.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës raportoi se raketat goditën ndërtesa banimi dhe magazina. Punonjësit e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për njerëz që mund të ndodhen nën rrënoja, ndërsa deri tani kanë nxjerrë të gjallë një person nga një godinë e shembur.
Sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, një spital për fëmijë pësoi dëmtime nga sulmet. Dritaret e tij u thyen dhe automjetet e parkuara pranë godinës u përfshinë nga zjarri.
Në shënjestër ishte edhe një qendër industriale në distriktin Solomyanskyi, në pjesën jugperëndimore të Kievit.
Guvernatori rajonal Tymur Tkachenko bëri të ditur se në distriktin Brovary, pjesë e rajonit më të gjerë të Kievit, një burrë humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Autoritetet ukrainase u kishin bërë thirrje banorëve që më herët gjatë natës të largoheshin drejt vendeve të sigurta, duke i paralajmëruar se mund të aktivizoheshin njësitë e mbrojtjes ajrore.
Ndërsa sulmet ruse vijonin, ushtria polake njoftoi nisjen e “operacioneve parandaluese të aviacionit ushtarak” si reagim ndaj goditjeve ruse në Ukrainë.
Kievi është goditur pothuajse çdo natë gjatë javëve të fundit. Disa prej këtyre sulmeve kanë shkaktuar dhjetëra viktima dhe persona të plagosur rëndë.
