Një stuhi shoqëruar me reshje të dendura dëbore dhe shi të ngrirë përfshiu pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara, nga Kentaki në kryeqytetin e vendit, Uashington.
Moti i keq shkaktoi me qindra aksidente rrugore dhe me mijëra banorë mbetën pa energji elektrike. Ekspertët thonë se duke filluar nga e mërkura rrezikohen përmbytje me rritjen e temperaturave, që mund të bëhen shkak për fryrje të lumenjve. Përmbytje rrezikohen edhe në Kalifornia në zonat e shkatërruara nga zjarret e fundit.
Stuhia që preku zona të Kentakit në drejtim të Marilendit e më thellë në veri të vendit, shkaktoi më shumë 37 centimetra borë në Iron Gate, një qytet i vogël në Virxhinian Perëndimore, si dhe 30 cm borë në White Sulfur Springs, të po këtij shteti, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit.
Deri të mërkurën, më shumë se 190,000 klientë në Virxhinia dhe më shumë se 13,000 në Karolinën e Veriut, vazhdonin të ishin pa energji elektrike.
Autoritetet thanë të martën se ‘Appalachian Power’, që ofron shërbim për një milion klientë në shtetet e Virxhinias atë të Virxhinias Perëndimore dhe në Tenesi, kishte vënë në dispozicion një personel prej 5,400 punonjësish për të rregulluar problemet me energjinë.