Studimi: COVID-19 ishte prezent në SHBA që në mes të dhjetorit 2019

Teksa zëra të shumta bëjnë me dije se koronavirusi lindi në Wuhan të Kinës, një studim i realizuar së fundmi nga ana e qeverisë amerikane nxjerr të dhëna të tjera lidhur me origjinën e pandemisë që “kryqëzoi” botën.

Mësohet se të paktën në pesë shtete amerikane, rastet e para me koronavirus janë shfaqur që në dhjetor 2019 apo janar 2020, mjaft ditë para se të deklaroheshin zyrtarisht rastet e para me Covid – 19.

Instituti Kombëtar i Shëndetit ka dalë në këtë përfundim pas analizimit të monstrave të gjakut të dhëna nga mijëra persona gjatë periudhës në fjalë, ku është konstatuar prezencë e Covid-19 para se në të njëjtat zona të konstatohej zyrtarisht prania e virusit, raporton abcnews.al.

Tek dy individë në Illinois dhe Massachusetts, u konstatuan në datat 7 dhe 8 janar antitrupa që zakonisht shfaqen dy javë pasi është kaluar koronavirusi, gjë e cila bën të kuptohet se ata janë infektuar gjatë mesit të muajit dhjetor 2019.

Numri i rasteve Covid-19 të gjetura në mostrat e gjakut është i vogël, duke sugjeruar që rastet e para në SHBA ishin sporadike. Studiuesit gjetën infeksion vetëm në nëntë nga 24,079 monstra të marra.

Sidoqoftë, zbulimet japin prova se koronavirusi i ri po qarkullonte në SH.B.A. disa javë para konfirmimit që virusi kishte mbërritur në SH.B.A. “Kjo na ndihmon të kuptojmë pak më shumë për përhapjen gjeografike të virusit në ato ditë të hershme të epidemisë në Shtetet e Bashkuara,” tha autori kryesor studimit, Profesori i Asociuar i Epidemiologjisë, Kerry Althoff.


Shtuar 15.06.2021 17:30