Skandal në partinë e njohur britanike: Përjashtohet anëtari i rëndësishëm pasi ishte pasiv, rezulton se ai kishte vdekur muaj më parë

Skandal në partinë e njohur britanike: Përjashtohet anëtari i rëndësishëm pasi ishte pasiv, rezulton se ai kishte vdekur muaj më pare.

Partia Reforma në Mbretërinë e Bashkuar e Nigel Farage shkarkoi kandidatin e saj për zgjedhje, Tommy Cawkwell, për pasivitetin e tij, edhe pse ai kishte dy muaj që kishte vdekur.

Cawkwell ishte kandidati i asaj partie, themeluesi i së cilës është një nga liderët e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, për qytetin e York-ut, raporton politico.

“Partia nuk ishte në dijeni që zoti Cawkwell kishte ndërruar jetë”, tha zëdhënësi i partisë, Gawain Towler.

“Jam i mërzitur që nuk e kuptova arsyen e mosveprimit të tij. Duhet të ketë qenë e kobshme për familjen e tij të lexonte për të në mënyrën se si u prezantua në shtyp”, shtoi ai.

Kujtojmë se kjo parti është vetëm disa për qind larg asaj të kryeministrit, Rishi Sunak, edhe pse kjo nuk është gafa e saj e parë.

Disa anëtarë të partisë janë përjashtuar për komente fyese në mediat sociale dhe një nga kandidatët e saj nga Aberdeenshire u përjashtua për një deklaratë në të cilën ai mbështeti kanibalizmin dhe tha se ish-sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace “duhet lënë të vdesë” në Afganistan.


Shtuar 12.04.2024 12:47