Si mund ta ndëshkojmë Iranin për mbështetjen që po i jep Rusisë në luftën ndaj Ukrainës

Nga Henry Rome “The Hill”

Asnjë vend tjetër nuk e ka ndihmuar pushtimin rus të Ukrainës më shumë sesa Irani. Në aspektin retorik, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei e ka miratuar personalisht pushtimin e Moskës, dhe i bërë jehonë propagandës së Rusisë se është NATO, dhe jo ajo përgjegjëse për konfliktin.

Në aspektin ushtarak, Teherani po e furnizon Moskën me dronë të avancuar sulmues dhe vëzhgues, të cilët kanë terrorizuar civilët ukrainas, dhe kanë vendosur në Krime trajnues të Gardës Revolucionare Islamike për trupat ruse.

Sipas zyrtarëve perëndimorë, Teherani planifikon që t’i sigurojë Moskës raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, të cilat mund ta forcojnë pozitën e Rusisë në fushën e betejës.

Qeveritë perëndimore po debatojnë ende se si të kundërpërgjigjen. Më 4 nëntor, Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-ës e dënuan njëzëri mbështetjen ushtarake të Iranit, duke shtuar përpjekjet perëndimore për ta izoluar Teheranin.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë vendosur sanksione ndaj regjimit teokratik, masat e deritanishme kanë qenë kryesisht simbolike, dhe të kufizuara në ngrirjen e aseteve, dhe në ndalimin e udhëtimit të gjeneralëve iranianë dhe ekspertëve ushtarake të përfshirë në zhvillimin, shitjen dhe transportin e dronëve iranianë.

Por udhëheqësit perëndimorë duhet të kenë një qasje më të gjerë sesa kaq. Në vend se të përqendrohen tek dronët apo raketat, ata duhet ta përdorin vendimin e Teheranit për ta ndihmuar Moskën në këtë luftë, si një mjet për të zbatuar në një mënyrë akoma më agresive sanksionet më të gjera të SHBA-së ndaj Iranit, sidomos në sektorin energjetik, me synim reduktimin e të ardhurave që fiton Irani nga këto shitje.

Pavarësisht sanksioneve të SHBA-së, Teherani eksporton ende rreth 1 milion fuçi naftë bruto dhe kondensatë (një hidrokarbur i lehtë i lëngshëm) në ditë, shumica e të cilave shkon në Kinë. Por administrata Biden nuk i ka dhënë përparësi goditjes së kësaj shmangie të sanksioneve.

Kur SHBA-ja po përpiqej vitin e kaluar ta inkurajonte Iranin të rikthehej në marrëveshjen bërthamore të vitit, Uashingtoni u tërhoq nga disa masa, ndërsa Kina po importonte gjithnjë e më shumë naftë iraniane. Kjo i dha Iranit një “litar shpëtimi” financiar, që mund të ketë ndikuar në mungesën e emergjencës së Teheranit për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore.

Administrata Biden e ka rritur muajt fundit presionin mbi eksportet iraniane të energjisë, duke vendosur në listën e zezë disa individë dhe kompani të përfshira në transaksionet e paligjshme. Ky është një fillim i mbarë.

Por mbështetja e pacipë e Iranit për Rusinë në luftën në Ukrainë, paraqet një mundësi të qartë që SHBA-ja të bëjë më shumë. Uashingtoni duhet t’u thotë të gjitha vendeve, se nuk mund të vazhdojë qasja “biznes si zakonisht” ndaj blerjeve të energjisë iraniane.

Eksportet energjitike të Iranit nuk po mbështesin vetëm një qeveri që po e përparon me shpejtësi programin e saj bërthamor, që mbështet milicitë dhe grupet terroriste dhe shtyp me dhunë protestat paqësore. Ato po mbështesin një qeveri që po siguron mjetet për të bërë luftë në territorin evropian.

Dhe lidhja midis naftës dhe armëve nuk është vetëm teorike. Sipas të dhënave më të fundit mbi buxhetin iranian, miliarda dollarë nga eksportet e energjisë, janë caktuar posaçërisht për institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Shtetet e Bashkuara duhet të deklarojnë se çdo fuçi me produkte energjetike iraniane të kontrabanduara dhe të shitura, ndihmon në nxitjen e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në bashkëpunim me G7-ën, SHBA-ja duhet t’i bëjë thirrje vendeve që blejnë ose lehtësojnë blerjen e produkteve energjetike iraniane që ta ndalojnë këtë gjë, si dhe duhet të ushtrojë presion diplomatik ndaj atyre që nuk e respektojnë regjimin e sanksioneve.

Duke pasur parasysh lidhjet e saj të ngushta me Iranin dhe Rusinë dhe refuzimin e sanksioneve dytësore të SHBA-së, do të jetë e vështirë të bindet Kina që të ndalë blerjen e naftës së papërpunuar iraniane. Por SHBA-ja mund të ketë më shumë sukses me vende si Singapori, që ka mbajtur një qëndrim të vendosur pro-perëndimor që nga fillimi i luftës, duke e dënuar pushtimin e Rusisë.

Megjithatë, sipas Departamentit të Thesarit dhe Shtetit të SHBA-së, kompanitë në Singapor kanë transportuar produkte iraniane të naftës, e kanë lehtësuar shmangien e sanksioneve dhe kanë importuar produkte petrokimike nga Rusia, duke i shkelur sanksionet e SHBA-së.

Po ashtu janë zbuluar anijet që transportonin naftën iraniane në brigjet e Singaporit. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara duhet t’ua bëjnë më të vështirë vendeve që të luajnë me 2 porta, duke mbështetur njëherazi Rusinë dhe Perëndimin, dhe duke ndihmuar gjithashtu shitjet e paligjshme të energjisë nga ana e Iranit.

SHBA-ja sanksionon vazhdimisht individë dhe subjekte me banim në Emiratet e Bashkuara Arabe për shmangien e sanksioneve ndaj naftës së papërpunuar dhe produkteve të naftës dhe ato petrokimike. Ndërsa India e ndaloi blerjen e naftës së papërpunuar iraniane vite më parë, SHBA ka akuzuar individë dhe kompani indiane për lehtësimin e shmangies së sanksioneve dhe shitjen e produkteve petrokimike, duke përfshirë Kinën.

SHBA-ja ka ngritur akuza të ngjashme kundër Malajzisë, ku thuhet se shkojnë anijet që transportojnë fshehurazi naftën iraniane. Zyrtarët perëndimorë mund të ngrenë dy kundërshtime për një qasje më agresive ndaj Iranit.

Së pari, ata mund të shqetësohen se kjo do të minonte përpjekjet për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të 2015-ës, e cila është aktualisht e bllokuar, duke pasur parasysh pozicionet e papajtueshme të Iranit. Por me shumë gjasa nuk do të ishte kështu. Përkundrazi goditja e një burimi kritik të monedhës së fortë iraniane, vetëm sa do të forconte argumentin e Uashingtonit se alternativa e Iranit ndaj një marrëveshjeje të negociuar është e paqëndrueshme.

Së dyti, rënia e eksporteve iraniane të naftës, mund të nxisë rritjen e kërkesës për naftën ruse, duke pasur parasysh ngjashmërinë e tyre në shkallë. Dhe kjo mund të minojë përpjekjet perëndimore për të ndërprerë një burim kyç të të ardhurave ruse. Por ky shqetësim ka të ngjarë të zbutet.

Perëndimi po synon tashmë zbatimin e një plani për të kufizuar atë që Rusia mund të fitojë nga çdo fuçi nafte që eksporton. Për më tepër, nuk ka gjasa që një fushatë kundër Iranit të ndërpresë plotësisht eksportet e tij të naftës. Qëllimi do të ishte komplikimi i tyre.

Në rast se SHBA-ja ia del të prishë disa nga zinxhirët e ndërlikuar dhe klandestinë që lidhin blerësit me shitësit, kjo do të krijonte kosto shtesë për Iranin, duke e detyruar atë të shesë me një zbritje më të madhe çmimi ose të paguajë më shumë për kontrabandistët.

Në fakt, Perëndimi do të impononte de fakto një kufi çmimi për naftën iraniane të papërpunuar, duke [pakësuar akoma më shumë të ardhurat që mund të fitojë regjimi. Nëse eksportet iraniane bien në mënyrë dramatike, Arabia Saudite ka të ngjarë të ruajë një kapacitet të mjaftueshëm rezervë për të balancuar tregun global.

Mbështetja e Rusisë nga Irani, i ka ofruar Shteteve të Bashkuara një mënyrë të re për të përshkallëzuar presionin ndaj Teheranit, duke e çuar më tej qëllimin e Uashingtonit për të ndëshkuar Iranin për eksportimin e armëve, goditjen e protestuesve dhe anashkalimin e negociatave bërthamore. Amerika nuk duhet ta humbasë këtë shans.

Shënim:Henry Rome, bashkëpunëtor i Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Mesme, i specializuar në sanksionet ndaj Iranit, çështjet ekonomike dhe ato bërthamore.

/albeu.com

 


Shtuar 12.11.2022 14:03