“Si do të jetoj pa ty…”, dedikime prekëse të familjarëve të viktimave nga aksidenti tragjik në Greqi

Tragjedia e përplasjes së trenave në Greqi ka lënë shumë dhimbje e brenga nga pas.

Kjo tragjedi la pas 57 të vdekur në Greqi ndau nëna nga fëmijët, motrat nga vëllezërit, por edhe të rinjtë nga njerëzit e tyre të zemrës. Shumë prej viktimave, mes të cilëve edhe 6 shqiptarë, kishin dikë që i priste t’i jepte përqafimin e mirëseardhjes sapo të zbriste nga treni, por ky takim nuk u realizua kurrë. Megjithatë, partnerët e viktimave kanë shprehur në rrjetet sociale mallin për njeriun që u dha statusin ‘të ve’.

Mediat greke kanë publikuar emrat dhe fotot e disa prej viktimave, bashkangjitur me historinë e tyre të dashurisë, shumë prej të cilëve, sapo e kishin nisur.

Athina Katsara

Athina Katsara dhe bashkëshorti i saj, prindër të një fëmijë 2 vjeç, ishin një nga çiftet pasagjerë në tren. Ajo humbi jetën, ndërsa ai mbeti i plagosur.

Dimitris Massalis

Dimitris Massalis, ishte një tjetër viktimë e këtij aksidenti.

“Ti do të jesh gjithmonë drejtuesi i zemrës sime. Të dua shumë. Udhë të mbarë Dimitri im,”- ka shkruar partnerja e 32-vjeçarit në rrjetet sociale.

Anastasia Adamidou

Anastasia 24 vjeçe, sapo kishte përfunduar studimet për stomatologji dhe vazhdonte masterin…

“Kemi shkuar në shumë udhëtime bashkë, por tek më i rëndësishmi nuk më more me vete, më ke lënë vetëm dhe tani nuk di çfarë të bëj e si të jetoj pa ty. Ne kishim shumë ëndrra. Kur do të shoh sërish? Ma kthe puthjen që të dhashë. Shpresoj të të kem bërë të lumtur, sepse unë kam qenë i lumtur me ty…,”- ka shkruar partneri i saj.

Nikos Nalbantis

28-vjeçari Nikos Nalbantis, dejtues treni, ishte viktimë.

“O shpirt, po pres këtu të kthehesh. Për të realizuar ëndrrat tona. Unë jam këtu duke pritur… Më shiko nga atje lart. Të dua përgjithmonë!”- shkruan Sonia, partnerja e tij.

Vaia Bleka

Infermierja 42-vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve jetonte në Tyrnavos me familjen e saj, dhe ditën e tragjedisë kishte marrë trenin për të shkuar tek bashkëshorti që ndodhej në SHBA.

“Nuk erdhe kurrë, na le mall e dhimbje,”- shkruan bashkëshorti i saj.


Shtuar 5.03.2023 23:44