Një grua 50-vjeçare shqiptare përfundoi në spital pasi u sulmua barbarisht me thikë nga ish-bashkëshorti i saj në mes të rrugës në ishullin e vogël të Greqisë, Thasos. Newsbomb.gr shkruan se pamjet e rënda janë xhiruara nga kamerat e një supermarketi që ndodhej pranë shtëpisë së saj, ku ajo vrapoi e zbathur për t’i shpëtuar ish-bashkëshortit, i cili kishte mbërritur në Greqi pak ditë më parë nga Shqipëria.
“Dera hapet, hyn kjo vajzë, pas dy minutash hyn ish-burri i saj dhe e ndjek pas raftit. U përpoqa ta ndaloja, e nxora nga dyqani që të largohej, u përpoqa ta mbaja sa më gjatë që munda, por ai më shtyu dhe iku edhe ai. Pastaj dëgjova zëra, dola jashtë dhe bërtita ‘policia po vjen’ “, thotë një dëshmitare.
Përpjekjet e saj rezultuan të pashpresa, pasi 55-vjeçari e goditi me në fytyrë dhe kokë duke e lënë të plagosur, sapo doli nga supermarketi. Momentet që pasojnë janë tronditëse, ndërsa gruaja rrëzohet përtokë dhe qytetarët e paktë që ndodheshin aty tentojnë ta ndihmojnë.
“Ky burrë është ish-burri i saj. Kjo vajzë ka qenë këtu në Theologos për rreth tre vjet, me një partner tjetër. Kjo ishte hera e tij e parë në ishull. Ai mori autobusin e numrit 11 që shkon në Theologos, zbriti në stacionin e autobusit. Ndërkohë, ai nuk e njihte zonën, po pyeste disa njerëz atje në shqip, ai tha ‘Unë jam vëllai i kësaj zonje dhe po kërkoj shtëpinë e saj dhe nuk e di se ku është’ dhe ata ia treguan shtëpinë”, thotë një banor i fshatit.
55-vjeçari u arrestua dhe iu sekuestrua një thikë dhe një kaçavidë, ndërsa ish-gruaja ndodhet në spital.
