SHBA paralajmëron NATO-n: Evropa të marrë mbrojtjen deri në 2027, ndryshe tërhiqemi nga kontributi

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një paralajmërim të qartë ndaj aleatëve evropianë të NATO-s, duke kërkuar që ata të marrin pjesën kryesore të barrës së mbrojtjes konvencionale të Aleancës deri në vitin 2027. Në të kundërt, Uashingtoni ka sinjalizuar se mund të tërhiqet nga disa mekanizma të bashkëpunimit mbrojtës brenda NATO-s.

Sipas burimeve të Reuters, mesazhi është përcjellë këtë javë gjatë një takimi në Pentagon, mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe delegacioneve evropiane. Zyrtarët amerikanë theksuan se Evropa nuk ka përmbushur ende pritshmëritë për forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake, pavarësisht shtimit të buxheteve të mbrojtjes pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Nëse Evropa nuk arrin të përmbushë afatin e vendosur, SHBA-të mund të kufizojnë rolin e tyre në koordinimin e mbrojtjes brenda NATO-s, çka do të ndryshonte ndjeshëm ekuilibrat e sigurisë në kontinent.

Burimet theksojnë se afati i vitit 2027 përfshin përgjegjësi që variojnë nga inteligjenca dhe raketat, deri te kapacitetet konvencionale jo-bërthamore, përfshirë trupat dhe pajisjet ushtarake. Megjithatë, zyrtarët amerikanë nuk kanë sqaruar se si do të matet progresi i Evropës në këtë drejtim.

Një pjesë e analistëve e lidhin këtë kërkesë me qëndrimet e administratës Trump, e cila ka bërë të qartë se kërkon një shpërndarje më të drejtë të barrës së sigurisë.

Nga ana tjetër, disa zyrtarë evropianë e konsiderojnë afatin deri në vitin 2027 të parealizueshëm, duke argumentuar se kontinenti nuk ka ende kapacitetet industriale, teknike dhe logjistike për të zëvendësuar rolin e SHBA-së në një periudhë kaq të shkurtër.

Përveç burimeve financiare, Evropa përballet me vonesat në prodhimin e armëve dhe mungesën e sistemeve të avancuara të inteligjencës dhe zbulimit, të cilat janë aktualisht në pronësi të Shteteve të Bashkuara dhe kanë qenë vendimtare në luftën e Ukrainës.

Ky paralajmërim i ri i Uashingtonit shihet si një sinjal presioni ndaj aleatëve evropianë, për të rritur investimet dhe përgjegjësinë në mbrojtjen e kontinentit, në një kohë kur rendja drejt vetëpërgjegjësisë ushtarake po shihet si e pashmangshme për NATO-n pas vitit 2027.


Shtuar 6.12.2025 22:13

Tags: ,