Uashingtoni dhe Kopenhaga kanë gjetur gjuhën e përbashkët për një marrëveshje të re që lidhet me sigurinë e Groenlandës, duke zbutur përplasjen diplomatike të shkaktuar nga kërcënimet e presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e territorit me forcë.
Të lidhura
None found
Dakordësimi vjen pas disa muajsh tensione, gjatë të cilëve Trump ka mbrojtur idenë se Groenlanda është thelbësore për sigurinë kombëtare të SHBA-së, për shkak të vendndodhjes së saj në Arktik dhe pasurive të shumta minerare.
Në një postim në rrjetin e tij social, presidenti amerikan tha se marrëveshja i siguron SHBA-së “kontroll të përhershëm mbi sigurinë” e Groenlandës, si dhe të drejtën për të ndërmarrë masat që vlerësohen të domosdoshme për mbrojtjen e territorit.
Trump deklaroi gjithashtu se dokumenti ndalon çdo kundërshtar të SHBA-së të mbajë prani ushtarake ose të kryejë investime të rëndësishme në Groenlandë pa marrë më parë miratim të shprehur me shkrim nga Uashingtoni.
Danimarka ka konfirmuar marrëveshjen përmes kryeministres Mette Frederiksen, e cila tha se ajo rrit sigurinë në Arktik dhe në hapësirën e Atlantikut të Veriut.
Frederiksen nënvizoi se marrëveshja respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa njeh edhe të drejtën e popullit të Groenlandës për vetëvendosje.
Sipas kryeministres daneze, marrëveshja pritet të nënshkruhet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme. Para se të hyjë në fuqi, ajo duhet të miratohet përmes procedurave përkatëse parlamentare.
Marrëveshjen e ka mirëpritur edhe kreu i qeverisë së Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen. Ai deklaroi se dokumenti përforcon sigurinë e Groenlandës, Danimarkës dhe SHBA-së, si dhe merr parasysh interesat e groenlandezëve.
Teksti i plotë i marrëveshjes nuk është publikuar ende, por një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka bërë të ditura disa prej pikave të saj.
Sipas këtij zyrtari, marrëveshja do të mbetet në fuqi edhe në rast se Groenlanda shpall pavarësinë në të ardhmen. SHBA-ja do të mund të ndërtojë struktura të reja ushtarake pa marrë miratim paraprak nga Groenlanda ose Danimarka.
Dokumenti parashikon gjithashtu të drejta të përhershme për akses, bazim dhe fluturime ushtarake. Ndërkohë, shtetet që nuk janë pjesë e NATO-s nuk do të lejohen të ndërtojnë baza ushtarake në territorin groenlandez.
Një tjetër synim i marrëveshjes është kufizimi i investimeve nga shtetet që konsiderohen kundërshtare të SHBA-së, veçanërisht në sektorët strategjikë të ekonomisë së Groenlandës. Zyrtari amerikan përmendi konkretisht Rusinë dhe Kinën.
Dakordësimi u arrit pas një periudhe të gjatë përplasjesh mes Uashingtonit dhe Kopenhagës. Prej muajsh, Trump ka kërkuar që SHBA-ja të marrë kontrollin mbi Groenlandën, duke e lidhur këtë kërkesë me sigurinë amerikane dhe kontrollin strategjik të Arktikut.
Qëndrimet e tij, përfshirë kërcënimet për përdorimin e forcës ushtarake, shkaktuan reagime të ashpra në Danimarkë dhe në shtete të tjera anëtare të NATO-s.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e përshkroi marrëveshjen si “historike” dhe si një arritje të rëndësishme për SHBA-në. Sipas tij, ajo u jep një zgjidhje të përhershme shqetësimeve amerikane lidhur me sigurinë e Groenlandës.
Megjithatë, derisa teksti zyrtar të bëhet publik, nuk është e qartë se në çfarë mase marrëveshja e re ndryshon nga marrëveshjet ekzistuese mes SHBA-së dhe Danimarkës. Një marrëveshje e vitit 1951 i njeh tashmë Uashingtonit të drejta të gjera për praninë ushtarake në Groenlandë.
Aktualisht, në bazën Pituffik, në veriperëndim të Groenlandës, SHBA-ja ka të dislokuar në mënyrë të përhershme më shumë se 100 ushtarakë.
Rëndësia e Groenlandës nuk lidhet vetëm me aspektin ushtarak. Territori shihet si strategjik edhe për shkak të rezervave të mëdha, kryesisht të pashfrytëzuara, të mineraleve të rralla, të cilat përdoren në prodhimin e teknologjive moderne, mes tyre telefonat celularë dhe automjetet elektrike.
