Numri i viktimave civile nga dy sulme ajrore izraelite në Liban është rritur në dhjetë, raportoi media shtetërore më 15 shkurt.
Në Nabatijeh, sulmet izraelite dëmtuan një ndërtesë, duke vrarë shtatë anëtarë të një familjeje të njëjtë, përfshirë një fëmijë raportoi media shtetërore libaneze.
Sulmet ndodhën një ditë më parë dhe janë më vdekjeprurëset në më shumë se katër muaj të shkëmbimit të zjarrit ndërkufitar mes Izraelit dhe grupit Hezbollah.
Fillimisht, pas sulmeve ishte raportuar për katër viktima.
Ndërkaq, në fshatin Suaneh, një grua dhe dy fëmijët e saj u vranë.
Grupi militant libanez, Hezbollah, u zotua se do të hakmerret për sulmet, të cilat goditën qytetin Nabatijeh dhe një fshat në jug të Libanit, pak orë pasi predhat e hedhura nga Libani vranë një ushtar izraelit.
Hezbollahu dhe ushtria izraelite shkëmbejnë zjarr në kufi që nga 7 tetori, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.