Publikuan video nudo duke pozuar në ballkon, modelet arrestohen për shthurje publike

Një video e shpërndarë gjerësisht në mediat sociale, çoi në arrestimin e një grupi njerëzish nga policia e Dubait, nën akuzën e shthurjes publike. Në video shfaqeshin disa modele të zhveshura, të rreshtuara në një ballkon ndërsa po filmoheshin në lagjen Marina të Dubait.

Kjo ishte një tronditje e madhe për vendin arab, ku edhe puthja në publik apo pirja e alkoolit pa licencë, mund të dënohen me burg.

Shkeljet e ligjit për mirësjelljen publike në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë lakuriqësinë dhe sjellje të tjera “të turpshme”, sjellin dënime deri në gjashtë muaj burg dhe një gjobë prej 1900 dollarësh. Ndarja e materialit pornografik është gjithashtu e dënueshme me burg dhe gjoba të majme sipas ligjeve të vendit.

Gazeta e lidhur me shtetin, The National, raportoi se kjo dukej të ishte një “marifet publiciteti”, pa dhënë hollësi. Policia e Dubait tha se të arrestuarit për videon “e pahijshme” ishin referuar në prokurorinë publike.

“Sjellje të tilla të papranueshme nuk pasqyrojnë vlerat dhe etikën e shoqërisë së Emirateve”, -thuhej në deklaratën e policisë.

Emiratet e Bashkuara Arabe, megjithëse liberale në shumë aspekte krahasuar me fqinjët në Lindjen e Mesme, kanë ligje të rrepta sa i përket sjelljes. Ka pasur raste ku njerëzit janë burgosur për komentet dhe videot e tyre në internet.


Shtuar 6.04.2021 08:04