Protestat në Iran kanë hyrë në ditën e katërmbëdhjetë me radhë, por ende nuk ka një informacion konkret lidhur me numrin e saktë të personave të arrestuar në qytete të ndryshme në Republikën Islamike.
Deri më tani, autoritetet e gjyqësorit dhe të sigurisë në Iran nuk kanë dhënë shpjegime sa i përket numrit të të arrestuarve, se ku po mbahen ata dhe nën çfarë kushtesh.
Në ditët e fundit, qindra persona janë arrestuar në lidhje me protestat në Iran, përfshirë edhe adoleshentë.
Deputeti i Parlamentit iranian, Abdolvahed Fayazi, anëtar i Komisionit të arsimit dhe hulumtimit të Parlamentit, ka konfirmuar arrestimin e fëmijëve dhe adoleshentëve.
Para ndërprerjes së internetit në mbarë vendin, ai deklaroi në një intervistë për agjencinë gjysmëzyrtare të lajmeve ILNA se “gjyqësori do të merret me ta në përputhje me të drejtat e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në Republikën Islamike”.
Agjencia e lajmeve për të drejtat e njeriut (HRANA), e cila mbulon zhvillimet që lidhen me të drejtat e njeriut, ka raportuar se të paktën 2.311 persona janë arrestuar në 13 ditët e para të protestave dhe se demonstrata janë regjistruar në 512 lokacione në 180 qytete dhe qyteza, teksa interneti është ndërprerë pothuajse plotësisht në Iran.
Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të vrarëve gjatë protestave, organizata joqeveritare Iran Human Rights kishte raportuar 45 viktima deri në ditën e 12-të të protestave, ndërsa HRANA ka raportuar për të paktën 65 persona të vdekur. Radio Farda e Radios Evropa e Lirë deri më tani ka konfirmuar identitetin e 35 të vrarëve, pesë nga të cilët ishin nën moshën 18-vjeçare.
Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të pakënaqësive me krizën ekonomike, zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe krizës energjetike.
Protestat më masive deri më tani janë regjistruar më 8 janar.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për protestuesit iranianë, me presidentin amerikan, Donald Trump, që ka paralajmëruar autoritetet në Teheran se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse Irani vret protestues./ REL
