Agjencia për Mbrojtje Civile në Gazë tha se forcat izraelite kanë vrarë të paktën 62 persona më 27 qershor, përfshirë dhjetë persona që ishin duke pritur për të marrë ndihma.
Raportimet për njerëz të vrarë teksa po prisnin të merrnin ndihma janë të fundit në kuadër të një sërë incidentesh vdekjeprurëse që janë raportuar se kanë ndodhur pranë qendrave për shpërndarjen e ndihmës në Gazë, të cilat janë ngritur nga një fondacion humanitar që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Zëdhënësi i Agjencisë për Mbrojtje Civile në Gazë, Mahmud Bassal, tha për AFP-në se 62 palestinezë u vranë të premten nga sulmet izraelite në mbarë territorin palestinez.
Ndërkaq, e kontaktuar nga kjo agjenci lajmesh, ushtria izraelite tha se po i heton këto incidente të raportuara, duke mohuar se trupat e saj kanë shtënë në një nga lokacionet në Gazë ku Agjencia për Mbrojtje Civile në këtë territor tha se një nga personat që po priste ndihma u vra.
Sipas Bassal, gjashtë persona u vranë në jug të Gazës afër një qendre për shpërndarjen e ndihmave që operohet nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), një tjetër në një incident të ndarë në qendre të territorit.
Ndërkaq, tre persona, sipas Bassal u vranë gjatë një sulmi ajror izraelit në Qytetin e Gazës, ku palestinezët po prisnin për ndihma.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që nga fundi i majit më shumë se 500 persona janë vrarë afër qendrave për shpërndarjen e ndihmës.
GHF-ja ka mohuar se kanë ndodhur incidente vdekjeprurëse në afërsi të qendrave të ndihmës që ky fondacion menaxhon.