Moti i keq në Brazil, 56 të vdekur dhe 67 të zhdukur

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në Brazilin jugor kanë vrarë 56 persona dhe kanë lënë të paktën 67 të tjerë të zhdukur, sipas të dhënave të fundit të publikuara sot nga agjencia e mbrojtjes civile.

Sipas autoriteteve të Rio Grande do Sul, pothuajse 25,000 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre pasi stuhitë goditën më shumë se gjysmën e 497 qyteteve në këtë shtet që kufizohet me Uruguain dhe Argjentinën.

Rrugët dhe urat u shkatërruan nga ujërat në shumë zona. U shkaktuan gjithashtu rrëshqitje dheu dhe u shemb pjesërisht një digë në një hidrocentral të vogël. Ekziston edhe rreziku i shembjes së një dige të dytë, në qytetin e Bento Gonçalves.

Në Porto Alegre, kryeqyteti i Rio Grande do Sul, lumi Guaiba ka vërshuar duke përmbytur rrugët. Aeroporti Ndërkombëtar i Porto Alegre pezulloi të gjitha fluturimet për një kohë të pacaktuar.

Guvernatori i shtetit Eduardo Leyte u tha gazetarëve se numri i të vdekurve mund të rritet. Në pjesët veriore të shtetit sot priten sërish reshje shiu dhe autoritetet u kanë bërë thirrje atyre që jetojnë në komunitete në rrezik të kërkojnë strehim diku tjetër.


Shtuar 4.05.2024 18:34