Pasditen e djeshme, Torino u godit nga një stuhi breshëri e cila preku kryesisht zonën veriore të qytetit, midis rretheve Sassi, Barriera di Milano, Madonna di Campagna dhe San Donato.
Mediet italiane raportojnë se moti i keq shkaktoi probleme pasi solli përmbytjen e rrugëve dhe ngadalësimin e trafikut.
Disa pemë ranë dhe uji arriti në nivelin e dyerve të makinave, veçanërisht përgjatë Corso Novara.
Më tej, pranë Corso Gamba u përmbytën bodrumet e disa shtëpive.
Breshëri zbardhi rrugët duke bërë të dukej si një skenë dimri ndërsa meteorologët u habitën nga rreth 80 mm shi që ranë brenda një ore.
Ata nuk kishin shpjegime për fenomenin e papritur natyror i cili nuk kishte ndodhur më parë në këtë qytet në prag të sezonit veror.
Temperaturat ranë në 10°C teksa rrugët u mbushën me akull për shkak të breshërit. Situata u qetësua pas disa orësh teksa banorët dhe punonjës të bashkisë nisën pastrimin e breshërit nga rrugët dhe sheshet e qytetit.