Në kumtesën e publikuar sot, VLEN vlerëson se takimi i përbashkët mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, rikonfirmoi se orientimi drejt integrimit evropian vazhdon të jetë prioritet strategjik i vendit, ndërsa reformat po avancojnë në partneritet të afërt me Bashkimin Evropian.
Të lidhura
None found
Sipas VLEN, pjesëmarrja e zv. skryeministrit të Parë dhe Ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në këtë takim është tregues i përkushtimit të kësaj force politike për ta mbajtur agjendën evropiane në fokus të veprimit institucional dhe për të përshpejtuar proceset reformuese që e afron vendin me Bashkimin Evropian.
Po ashtu, VLEN shpreh bindjen se rruga drejt integrimit evropian kërkon angazhim të pandërprerë, vendime të përgjegjshme dhe zbatim reformash që sjellin përfitime të prekshme për qytetarët. Për këtë arsye, theksohet se zbatimi i Agjendës së Reformave dhe i Planit të Rritjes mbetet ndër prioritetet kryesore, me qëllim që efektet e këtij procesi të reflektohen te secili qytetar përmes institucioneve më funksionale, një ekonomie më të zhvilluar dhe një niveli më të mirë jetese.
Në kumtesë thuhet gjithashtu se bashkëpunimi me Komisionin Evropian do të vijojë të thellohet, ndërsa institucionet do të angazhohen me përgjegjësi për zbatimin e reformave të domosdoshme dhe për shfrytëzimin sa më të madh të mundësive që ofron Plani i Rritjes.
Në fund, VLEN nënvizon se do të mbetet një forcë shtytëse në procesin e integrimit evropian, duke argumentuar se përmes punës, përgjegjësisë dhe një vizioni të qartë, Maqedonia e Veriut po lëviz me hapa të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian./Telegrafi/
