Më në fund Izraeli vendos të hapë një pikë kufitare për furnizim me ndihma në Gazë

Izraeli vendosi të premten të lejojë përkohësisht furnizimin me ndihma humanitare në Rripin e Gazës përmes pikëkalimit të vet kufitar, Kerem Shalom, njoftoi zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Rripi i Gazës është duke u përballur me kushte të mjerueshme humanitare për shkak të luftës tashmë dymujore.

Deri më tani, të gjitha ndihmat humanitare janë futur në territorit e rrethuar nga Izraeli vetëm përmes pikëkalimit kufitar me Egjiptin, Rafah.

Në Kerem Shalom, i cili ndodhet në kufirin e Gazës me Izraelin, së fundmi kontrolloheshin të gjitha dërgesat humanitare të destinuara për Gazën, por kamionët duhej të udhëtonin pastaj drejt Rafahut për t’u futur brenda enklavës palestineze.

“Kabinet i Izraelit e aprovoi sot një masë të përkohshme për shkarkimin e kamionëve në pjesën brenda Gazës të pikëkalimit Kerem Shalom, me qëllim për ta rritur sasinë e ndihmave për këtë territor”, tha zyra e Netanyahut në një komunikatë për media.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, i cili të premten e përfundoi një vizitë në Izrael, e quajti këtë vendim “hap të rëndësishëm”.

“Presidenti Biden e ngriti këtë çështje së fundmi përmes një telefonate me kryeministrin Netanyahu, e cila ishte edhe temë e rëndësishme diskutimesh gjatë vizitës sime në Izrael në dy ditët e fundit”, tha ai.


Shtuar 15.12.2023 22:11