Marrëveshja Shqipëri-Itali si model, prezantohet të martën në Strasburg rregullorja e re për emigrantët

Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët e paligjshëm duket se po shërben si një model për të zgjidhur problemin e flukseve emigratore, për të cilat vendet anëtare të BE do të zbatojnë një rregullore.

Të martën, më 11 mars, Komisioni Evropian do të prezantojë të ashtuquajturën “Direktiva e Kthimit” në Strasburg, një kuadër i ri ligjor që synon përshpejtimin e proceseve për riatdhesimin e azilkërkuesve të refuzuar në vendet e tyre të origjinës.

Kjo rregullore do të shërbejë si bazë për 27 shtetet anëtare të unionit. Ndër 52 nenet që përbëjnë rregulloren, duket se ka një propozim në lidhje me krijimin e qendrave të pritjes së emigrantëve në vendet e treta.

Sipas burimeve të BE-së, ende nuk dihet se kur do të prezantohet lista e re e cila do të listojë një nga një vendet e treta “të sigurta”, bazuar në kriteret e reja. Ndryshe nga dy rastet e tjera të përmendura, legjislacioni i BE-së në fuqi nuk parashikon asnjë afat për publikimin e kësaj liste të fundit, theksuan burimet.

Disa shtete anëtare ndër të cilat Italia, Greqia, Gjermania e Austria mbështesin ngritjen jashtë territorit të BE-së të qendrave të kthimit të azilkërkuesve të refuzuar, për të dekurajuar dyndjet masive nga toka dhe deti, që janë shndërruar në një problem serioz, dekadën e fundit.

Një model i ngjashëm është edhe kampi i Gjadrit, i ngritur sipas marrëveshjes së 6 Nëntorit 2023 në Romë mes kryeministrave Rama e Meloni. Plani parashikon dërgimin në Gjadër të deri 36 mijë emigrantëve që shpëtohen nga italianët në ujërat e Mesdheut dhe përpunimin aty të kërkesave për azil.


Shtuar 10.03.2025 20:30