Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të firmosin të premten, më 19 qershor, në Zvicër një memorandum mirëkuptimi që synon mbylljen e konfliktit mes tyre dhe nisjen e bisedimeve intensive për programin bërthamor iranian.
Drafti, i përbërë nga 14 pika dhe i siguruar nga Bloomberg, përfshin një armëpushim të përhershëm, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, lehtësimin gradual të sanksioneve dhe një paketë të gjerë ndihme ekonomike për Teheranin.
Të lidhura
None found
Sipas dokumentit, me nënshkrimin e memorandumit, Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e tyre, do të shpallin ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin. Të dyja palët marrin përsipër të mos kryejnë veprime armiqësore në të ardhmen, të mos përdorin forcën ndaj njëra-tjetrës dhe të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të secilit shtet.
Dokumenti përcakton që negociatat për marrëveshjen përfundimtare duhet të mbyllen brenda 60 ditëve, me zgjatje të mundshme vetëm në rast se të dyja palët bien dakord.
Një nga pikat më të rëndësishme të memorandumit lidhet me rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret energjetike më jetike në botë. Shtetet e Bashkuara angazhohen të heqin menjëherë bllokadën detare dhe të rikthejnë lëvizjen normale të anijeve brenda 30 ditëve. Po ashtu, Uashingtoni merr përsipër të tërheqë forcat ushtarake nga zonat përreth brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare.
Nga ana e tij, Irani zotërohet të garantojë rikthimin e lundrimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit dhe në rrugët detare që lidhin Gjirin Persik me Detin e Omanit. Kjo përfshin edhe çminimin e hapësirave detare për të siguruar kalimin normal të anijeve tregtare.
Një tjetër element kyç është paketa ekonomike e planifikuar për Iranin. Drafti parashikon një program rindërtimi dhe zhvillimi ekonomik me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë, që do të financohet nga SHBA-ja dhe aleatët e saj rajonalë. Mënyrat konkrete të zbatimit të kësaj pakete do të përcaktohen gjatë negociatave për marrëveshjen përfundimtare.
Memorandumi parashikon edhe heqjen graduale të të gjitha sanksioneve ndaj Iranit. Sipas dokumentit, Shtetet e Bashkuara do të angazhohen për eliminimin e sanksioneve të OKB-së, të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, si edhe të sanksioneve parësore dhe dytësore amerikane, sipas një kalendari që do të përcaktohet më vonë.
Sa i përket çështjes bërthamore, Teherani rikonfirmon angazhimin se nuk do të pajiset kurrë me armë bërthamore. Rezervat e uraniumit të pasuruar, nevojat bërthamore të vendit dhe aspektet teknike të programit do të trajtohen në marrëveshjen përfundimtare. Deri atëherë, Irani nuk do ta zgjerojë programin e tij bërthamor, ndërsa SHBA-ja nuk do të vendosë sanksione të reja dhe nuk do të rrisë praninë ushtarake në rajon.
Parashikohet gjithashtu një lehtësim i menjëhershëm për eksportet iraniane të energjisë. Departamenti amerikan i Thesarit do të lëshojë përjashtime që do të mundësojnë eksportin e naftës bruto iraniane, produkteve petrokimike dhe derivateve të tyre. Këto përjashtime do të përfshijnë edhe shërbimet bankare, sigurimet, transportin dhe çdo aktivitet tjetër të lidhur me këta sektorë.
Drafti përfshin edhe zhbllokimin e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit. Këto asete do t’i vihen në dispozicion Bankës Qendrore të Iranit ndërsa vijon procesi i negociatave për marrëveshjen përfundimtare.
Për të siguruar zbatimin e angazhimeve, memorandumi parashikon ngritjen e një mekanizmi të posaçëm monitorimi. Po ashtu, synohet që marrëveshja përfundimtare të miratohet përmes një rezolute detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke i dhënë asaj fuqi të plotë juridike ndërkombëtare.
Nëse firmoset dhe zbatohet sipas planit, kjo marrëveshje mund të përbëjë një nga zhvillimet diplomatike më të rëndësishme në Lindjen e Mesme në dekadat e fundit, duke hapur një fazë të re në raportet mes Uashingtonit dhe Teheranit.
