Një shkëmbim i shkurtër mes kryeministrit kanadez Mark Carney dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, i regjistruar nga një mikrofon i hapur gjatë Samitit të G7 në Francë, ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Episodi ndodhi pak para një dreke pune të liderëve botërorë, ndërsa në qendër të diskutimeve ishin krizat globale. Në fillim të bisedës, Carney dhe Trump bënë disa komente me tone të lehta për një orë që presidenti francez Emmanuel Macron kishte lënë mbi tavolinë.
Të lidhura
None found
Më pas, mikrofoni kapi momentin kur Carney i shpjegonte Trumpit marrëveshjen e arritur me Kinën, e cila parashikon që Kanadaja të importojë deri në 49 mijë automjete elektrike kineze me tarifa më të ulëta.
“Më pak se 3 për qind e tregut tonë, 49 mijë makina. Është një kufi që ne e kemi vendosur, një vijë e kuqe e fortë. Mendova se kjo do t’ju pëlqente”, dëgjohet t’i thotë Carney presidentit amerikan.
Përgjigjja e Trump ishte e shkurtër: “Kjo është mirë, më pëlqen”, përpara se biseda të mbyllej.
Kjo marrëveshje mes Kanadasë dhe Kinës ka hapur debat në Uashington, pasi administrata amerikane ka ngritur shqetësimin se Kanadaja mund të përdoret si pikë hyrëse për automjetet elektrike kineze drejt tregut amerikan. Edhe vetë Trump ka paralajmëruar më herët për tarifa të reja, duke theksuar se nuk do të lejojë që Kanadaja të kthehet në një “portë hyrëse” për makinat kineze në SHBA.
Sipas marrëveshjes, do të ketë një lehtësim të pjesshëm të tarifës 100 për qind që Kanadaja kishte vendosur ndaj importeve të automjeteve elektrike nga Kina. Në këmbim, Pekini ka pezulluar tarifat hakmarrëse për produktet bujqësore kanadeze.
Pas daljes në publik të këtij momenti të regjistruar nga mikrofoni, ministri kanadez për Tregtinë me SHBA-në, Dominic LeBlanc, tha se çështja e automjeteve elektrike kineze nuk ka qenë një burim përplasjeje në negociatat mes dy vendeve.

