Libani shpall tre ditë zie, vritet një tjetër komandat i Hezbollahut

Libani ka shpallur tre ditë zie për Hasan Nasrallah. Kryeministri Najib Mikati tha se zia zyrtare do të fillojë të hënën me flamujt që do të valëviten në gjysmë shtizë në ndërtesat publike

Zyrat publike gjithashtu do të mbyllen në ditën e funeralit të Nasrallah. Hezbollahu ende nuk ka shpallur një datë se kur do të përcillet për në banesën e fundit një prej komandantëve më të rëndësishëm të Hezbollahut.

Ndërkohë, nga ana tjetër kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se vrasja e liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah ishte një pikë kthese historike që mund të ndryshojë ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme, megjithëse ai paralajmëroi për “ditë sfiduese” përpara.

“Nasrallah nuk ishte terrorist, ai ishte terroristi”, tha Netanyahu në një deklaratë.

“Vrasja e Nasrallahut ishte një hap i domosdoshëm drejt arritjes së qëllimeve që kemi vendosur, kthimit të sigurt të banorëve të veriut në shtëpitë e tyre dhe ndryshimit të ekuilibrit të fuqisë në rajon për vitet në vijim,” tha ai.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka njoftuar se ka kryer sulme të reja në Liban. Këtë herë shënjestra e tyre ka qenë në jug të Bejrutit, në lagjen Dahieh.

Në një deklaratë forcat izraelite njoftuan se gjatë këtij sulmi ishte vrarë Hassan Khalil Yassin.

“Si pjesë e rolit të tij, Yassin bashkëpunoi intensivisht me të gjitha njësitë sulmuese të Hezbollahut, ishte i përfshirë personalisht në planifikimin e sulmeve terroriste që u ekzekutuan gjatë luftës kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë. Po ashtu kishte planifikuar sulme shtesë që do të kryheshin në ditët në vijim”, thuhej në deklaratë.


Shtuar 28.09.2024 23:08