Një krim i rëndë është shënuar në aeroportin e Antalias, në Turqi, ku një ish-polic dyshohet se ka vrarë partneren e tij në parkingun e Terminalit 2.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve të mediave turke, 52-vjeçari Hüseyin Durmaz, ish-oficer policie, ka përdorur armën e shërbimit për të qëlluar 38-vjeçaren Elina Şengün, me origjinë nga Gjeorgjia.
Pas të shtënave, në vendngjarje shkuan menjëherë forcat e policisë dhe ekipet mjekësore. Gruaja u dërgua me urgjencë në spital, por plagët e marra rezultuan fatale, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.
Policia e arrestoi Durmaz menjëherë pas ngjarjes.
Viktima, e cila ishte nënë e dy fëmijëve, punonte si konsulente shitjesh në aeroport. Ajo dhe 52-vjeçari kishin qenë në një lidhje prej rreth dy vitesh.
Raportimet bëjnë të ditur se ish-polici e kishte kanosur vazhdimisht partneren e tij. Sipas dëshmive të publikuara, ai i kishte thënë se do ta kërkonte në aeroport nëse nuk do ta gjente në shtëpi në orët e mëngjesit.
Dyshimet e deritanishme janë se, pasi e ka parë në parking, Durmaz ka marrë një armë nga automjeti dhe ka hapur zjarr ndaj saj.
Autoritetet turke vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivin e këtij krimi.
