Kina i bën thirrje SHBA-së: Mos e mbështesni pavarësinë e Tajvanit

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, i tha këshilltarit për siguri kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Jake Sullivan, se Uashingtoni duhet të respektojë zotimin e tij që të mos mbështesë pavarësinë për Tajvanin.

Kështu njoftoi Ministria e Jashtme kineze pasi Wang dhe Sullivan zhvilluan bisedime në kryeqytetin tajlandez.

Wang tha se zgjedhjet e fundit të mbajtura në Tajvan nuk kanë ndryshuar faktin që ishulli është pjesë e Kinës dhe se sfida më e madhe në raportet Kinë-SHBA është “çështja e pavarësisë së Tajvanit”, u tha në njoftimin e Ministrisë kineze.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ai nuk mbështet pavarësinë tajvaneze, sepse ligji amerikan kërkon një mbrojtje të besueshme për Tajvanin dhe për SHBA-në që t’i trajtojë të gjitha kërcënimet për ishullin si çështje “të shqetësimit të madh”.

Wang tha po ashtu se të dyja palët duhet të shfrytëzojnë 45-vjetorin e vendosjes së raporteve diplomatike mes dy vendeve si mundësi për të reflektuar në përvojat e së shkuarës dhe ta trajtojnë njëra-tjetrën si palë të barabarta.

Të dyja palët “duhet të angazhohen në një respekt të ndërsjellë, në një bashkëjetesë paqësore, në bashkëpunim kur të dyja do të jenë fituese”, citohet të ketë thënë Wang, sipas njoftimit.

Si Kina, ashtu edhe Shtëpia e Bardhë thanë se bisedimet ishin konstruktive.

SHBA-ja dhe Kina kanë një sërë mosmarrëveshjesh, nga ato ekonomike e deri te ato gjeopolitike.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë u tha se Sullivan gjatë takimit ka theksuar rëndësinë që të mbahet paqja dhe stabiliteti në mbarë Ngushticën e Tajvanit.

Kina pretendon se ishulli vetëqeverisës i Tajvanit është pjesë e territorit të saj, dhe viteve të fundit ka rritur aktivitetet përreth ishullit, duke dërguar anije dhe avionë.

Më herët gjatë së shtunës, Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se Kina nisi drejt ishullit mbi 30 avionë luftarakë dhe një grup të luftanijeve.


Shtuar 27.01.2024 17:01