Kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu gatishmërinë e Berlinit për t’i ofruar Ukrainës më shumë ndihmë ushtarake, pas valës së fundit të sulmeve ruse, të cilat ai i cilësoi si “luftë terrori kundër civilëve”. Merz njoftoi se ushtria ukrainase do të pajiset me sisteme goditjeje me rreze të gjatë, pa dhënë detaje të tjera për shkak të ndjeshmërisë së informacionit.
“Po bëjmë gjithçka të mundur për të përmirësuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Prej muajsh po punojmë me Kievin për zbatimin e sistemeve të goditjes me rreze të gjatë. Kemi rënë dakord të mos flasim publikisht për detaje, pasi një nivel paqartësie ndaj Rusisë është i domosdoshëm,” tha Merz gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson.
Kancelari gjerman shtoi se vitin e ardhshëm Gjermania do të vërë në dispozicion edhe 3 miliardë euro të tjera për mbështetje ushtarake, me kusht që Ukraina të mbetet “partner i besueshëm” dhe të vijojë luftën kundër korrupsionit. Ai komentoi edhe skandalin e fundit të korrupsionit në qeverinë ukrainase, duke theksuar se kërkohet “veprim i pamëshirshëm kundër korrupsionit”, çka është thelbësore edhe për rrugëtimin evropian të Ukrainës. Edhe kryeministri suedez theksoi se duhen thënë “fjalë shumë të sinqerta” për korrupsionin në Ukrainë dhe se mbështetja ushtarake, humanitare, ekonomike dhe politike duhet të rritet nëse synohet ndalimi i agresionit rus.
Merz përsëriti thirrjen për përdorimin e aseteve ruse të ngrira, duke kërkuar nga vendet e BE-së që të arrijnë marrëveshje brenda këtij viti.
“Ky është mjeti më i fortë presioni për të ulur Moskën në tryezën e bisedimeve,” tha ai.
Ai dënoi gjithashtu sulmet ruse ndaj objektivave jo-ushtarake, duke i quajtur “sulm të pastër terrori kundër popullsisë civile”, dhe u shpreh se Berlini është në kontakt të përditshëm me SHBA-në për çështjen e raporteve mbi bisedimet e fshehta mes Uashingtonit dhe Moskës.
Ndërkohë, qeveria gjermane vendosi sot që refugjatët ukrainas që mbërrijnë në Gjermani pas 1 prillit 2025 të mos marrin më përfitimin social Bürgergeld, por ndihma më të ulëta, të njëjta me ato të aplikuara për kërkuesit e azilit. Sipas Ministrisë së Punës, kjo masë synon “barazi trajtimi me refugjatë nga vende të tjera”.
