Një studim i ri shkencor ka nxjerrë në pah një dukuri të pazbuluar më parë, të lidhur me tërmetin shkatërrues që goditi Japoninë më 11 mars 2011.
Kërkimi, i drejtuar nga gjeofizikania Sunyoung Park e Universitetit të Çikagos, tregon se rreth 15 minuta pas tërmetit me magnitudë 9.0, pothuajse i gjithë territori i Japonisë u zhvendos përgjithmonë drejt lindjes.
Të lidhura
None found
Në fillim, lëvizja prej 5 deri në 6 milimetrash u interpretua si një pasaktësi në matjet GPS. Por pas vitesh analizash, studiuesit arritën në përfundimin se nuk bëhej fjalë për gabim teknik, por për një fenomen sizmik të panjohur deri tani.
Sipas studimit, valët e forta të tërmetit depërtuan deri në bërthamën e Tokës dhe më pas u kthyen sërish drejt sipërfaqes. Ky rikthim shkaktoi një zhvendosje të sinkronizuar në një hapësirë shumë të gjerë, që shtrihej nga Hokkaido në Kyushu, në një gjatësi prej mbi 1,800 miljesh.
Shkencëtarët sqarojnë se prej kohësh dihej që valët sizmike mund të arrijnë në bërthamën e Tokës, por mendohej se energjia e tyre humbiste para se të rikthehej në koren tokësore. Zbulimi i fundit tregon se kjo energji është në gjendje të kthehet dhe të prodhojë lëvizje të matshme në sipërfaqe.
Gjeofizikani Goran Ekstrom tha se tërmeti i vitit 2011 e kishte lëvizur ishullin Honshu me afërsisht 20 centimetra drejt lindjes. Ndërkohë, fenomeni i zbuluar së fundmi, edhe pse me ndikim më të vogël, përfshiu një sipërfaqe shumë më të gjerë dhe çliroi energji të krahasueshme me një tërmet me magnitudë 7.5.
Tërmeti i marsit 2011 vijon të konsiderohet më i fuqishmi në historinë e Japonisë. Ai solli cunamin katastrofik dhe krizën bërthamore në Fukushima, ndërsa u mori jetën rreth 20 mijë personave.
Sipas studiuesve, kjo dukuri e re paraqet një rrezik sizmik që deri tani nuk ishte përfshirë në vlerësime. Në dallim nga pasgoditjet tradicionale, valët që zbresin deri në bërthamën e Tokës dhe më pas rikthehen mund të parashikohen, pasi i gjithë procesi zgjat afërsisht 15 minuta.
Ekspertët besojnë se ky zbulim mund të kontribuojë në kuptimin më të thellë të mënyrës se si sillen pllakat tektonike, si edhe në përmirësimin e sistemeve të monitorimit sizmik në të ardhmen.
“Ne ende nuk e kuptojmë plotësisht se si funksionojnë thyerjet tektonike dhe këto vëzhgime na japin një pjesë tjetër të rëndësishme të enigmës”, u shpreh gjeofizikania Amanda Thomas nga Universiteti i Kalifornisë.
