Izraeli goditi më 18 gusht bazën ajrore Abu al-Duhur, në veriperëndim të Sirisë, me tetë sulme ajrore. Sipas autoriteteve siriane, sulmet goditën pistën dhe zonat e magazinimit, ndërsa nuk u raportuan viktima.
Sipas Al Jazeera, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se sulmi u krye pasi Izraeli kishte marrë informacione se Turqia po përgatiste aktivitet në bazë, i cili sipas tij mund të përbënte kërcënim për sigurinë e Izraelit.
Të lidhura
None found
Sipas Katz, ushtria izraelite kishte propozuar kryerjen e sulmit dhe, përpara operacionit, Izraeli kishte paralajmëruar qeverinë siriane. Ministri tha gjithashtu se informacionet ishin ndarë me zyrtarët amerikanë.
Turqia mohon praninë ushtarake në bazë
Ankaraja i ka hedhur poshtë pretendimet e Izraelit. Ministria turke e Mbrojtjes ka deklaruar se nuk kishte delegacion ushtarak turk në bazën Abu al-Duhur, as para dhe as gjatë sulmit.
Edhe Siria ka mohuar se po përgatiste krijimin e një baze ushtarake turke apo vendosjen e përhershme të trupave turke në këtë objekt.
Ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, tha se zyrtarë ushtarakë turq e kishin vizituar bazën, por në kuadër të trajnimeve dhe bashkëpunimit ushtarak. Ai mohoi se kishte një plan për vendosjen e përhershme të forcave turke.
SHBA: Sulmi rrezikoi përshkallëzimin
Sulmi izraelit ka shkaktuar reagime edhe nga Shtetet e Bashkuara. I dërguari amerikan për Sirinë dhe Turqinë, Tom Barrack, e cilësoi sulmin si një “përshkallëzim të panevojshëm” dhe paralajmëroi për rrezikun e një përplasjeje më të gjerë mes Izraelit, Turqisë dhe Sirisë.
Ndërkohë, SHBA po punon për krijimin e një mekanizmi komunikimi mes tre vendeve, me synim shmangien e incidenteve dhe përplasjeve të drejtpërdrejta ushtarake.
Sulmi ndaj Abu al-Duhur ka rritur tensionet mes Izraelit dhe Turqisë, ndërsa të dyja palët po përplasen gjithnjë e më shumë për rolin dhe praninë ushtarake në Sirinë e pasluftës.
